TIRANË

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka depozituar në Kuvend amendime në rezoolutën e kuvendit për negociatat me BE. Amendimet kanë të bëjnë që me ndryshimin e titullit të rezolutës.

Bushati ka ilustruar edhe propozimin e tij për këto amendime që kanë të bëjnë me procesin ‘screening’, me angazhimin e Kuvendit në përfundimin e reformës zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR etj.

“Propozoj amendimin e titullit të rezolutës. ‘Çelja e negociatave’ të bëhet ‘Mbështetje për procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim’. Kuvendi nuk ka tagër vendimmarrës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Amendim për vlerësimin e punës përgatitore të nisur nga KE me institucionet shqiptare të njohur si procesi ‘screening’. Të rikonfirmojmë angazhimet që burojnë nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë datë 24.05.2018.

Kuvendi të nxisë institucionet e tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019.
Kuvendi të angazhohet në përfundimin e reformës zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, të ndershëm dhe demokratik.

Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave të konsolidojë ritmin e reformave, veçanërisht me fokus sundimin e së drejtës dhe liritë e të drejtat themelore.
Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave që të paraqes brenda datës 31 Tetorit 2019 planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Kuvendi i bën thirrje Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian që në përputhje me rekomandimin e Komisionit Evropian të 17.04.2018, rikonfirmuar në 29.05.2019, si dhe Konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Këshilli Evropian, të qershorit 2018, të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë”, ka përmendur amendimet ish-ministri Bushati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb