Ish-kryeprokurori Shkëlqim Hajdari, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, ka folur në lidhje me punën e SPAK në shënjestrimin e zyrtarëve të lartë dhe jo vetëm. I pyetur në lidhje me procesin ndaj kreut të PD, Sali Berisha për dosjen “Partizani”, ai u shpreh se çështja është tashmë në dorën e gjyqtarit paraprak, i cili do të vendosë nëse çështja do të shkojë për gjykim apo do të kthehet pas. Edhe në momentin e çuarje së çështjes për gjykim, Hajdari u shpreh se do të ketë një proces i gjatë pasi Berisha dhe avokatët e tij nuk kanë zgjedhur të ndjekin rrugën e procesit të shkurtuar.

“Proces i vështirë për SPAK sepse nuk e lehtë edhe për shkak të historisë së hetimit të zyrtarëve të lartë. Më në fund çështja ka përfunduar pavarësisht trysnisë së madhe me ose pa të drejtë nga përkrahësit e zotit Berisha. Prokurorët kanë bërë detyrën dhe tani gjykatës paraprak vendos nëse çështja kalon për gjykim ose kthehet pas. Shumë shpejt do të shohim rrugën që do të marrë kjo çështje. Procesin e pres të gjatë, sepse nuk do të kemi gjykim të shkurtuar por gjykim normal. Procesi do të vijojë disa muaj. Kjo çështje do të ketë gjithë kohës para publikuar për interesin që ka. Publiku do të jetë pjesë e kësaj vendimmarrje”, tha ai.

Më pas ish- kryeprokurori u ndal në rastin Salianji, ku tha se nëse do të ishte vetë prokuror do të kishte kërkuar një masë më të butë.

Hajdari shtoi se Salianji do të duhet të vuajë 2/3 e dënimit deri në momentin që i lind e drejta të kërkojë lirimin, ndërsa theksoi se falë radhëve të gjata në Gjykatën e Lartë, çështja e ish-deputetit demokrat mund të zgjasë në këtë shkallë gjykimi.

“Vendim që u zgjat shumë, ajo çështje ka nisur në 2019 mund të kishte mbaruar më shpejt, por u zgjat shumë në Apel. Rrallë gjykatat procedojnë me dënime më shumë se çka kërkuar prokurori. Kjo ndodh shumë rrallë dhe kjo rriti tensionin. E çoi këtë rast si një ngjarje me prapavijë politike, argument ky në favor të politikës. Të isha unë do të kërkoja çdo masë tjetër përveç burgut. Salianji ka në dispozicion edhe një shkallë tjetër, që është Gjykata e Lartë. Radha në Gjykatën e Lartë është e gjatë, kështu që edhe aty mund të zgjasë. Salianji do të kryejë 2/3 e dënimit që të ketë më tej mundësinë të kërkojë pjesën tjetër të lirimit. Duhet të kryejë pra 7 -8 muaj burg”, u shpreh Hajdari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb