TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar një dënim total prej 43 vitesh burg për tre ushtarakë të të akuzuar se siguronin, prodhonin dhe shisnin materiale eksplozive, me përmbajtje lëndë plasëse C4.

Krimet e Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, arritën të provonin se Kleo Gjinkola, Fran Kolaj dhe Alban Dodaj, të tre ushtarë profesionistë, banues në Lezhë, prodhonin dhe shisnin sipas porosive bomba me mekanizma shpërthyer nga distanca, kundrejt shumave 1500-2500 euro. Këta persona janë hetuar me masën e sigurimit « arrest në burg » dhe janë arrestuar në datë 30.06.2014.

Në përfundim të gjykimit, Prokuroria për Krime të Rënda, për veprën penale të “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 282 gërma “a”/2 të Kodit Penal, kërkon konkretisht : dënimin me 15 vite burgim për shtetasin Kleo Gjinkola dhe me nga 14 vite burg për secilin nga shtetasit Fran Kolaj dhe Alban Donaj.

HETIMI PËR GRUPIN
Nga informacionet rezultonte se Kleo Gjinkola kryente aktivitet të paligjshëm në fushën e trafikimit të lëndëve plasëse, duke i siguruar ato në Mal të Zi dhe Kosovë dhe më pas i trafikonte në Shqipëri, konkretisht në qytetet e Durrësit, Krujës dhe Fushë- Krujës. Lëndët që ai trafikonte janë të llojit eksploziv C4, tritol si armë dhe municioneve. Sipas informacioneve të siguruara po në rrugë operative, këta shtetas kanë mundur të fusin në Shqipëri lëndë plasëse si eksploziv C-4, tritol si dhe si dhe armë të llojeve të ndryshme të tipit snajper etj. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Kleo Gjinkola ka lidhje të tij shoqërore me një person që dyshohet se i siguron lëndët eksplozive nga Mali i Zi dhe i trafikon në Shqipëri, pasi gjen blerësit.

INFILTRIMI
Për të bërë të mundur identifikimin e pjesëtarëve të grupit kriminal, policia infiltroi një person, i cili pranoi të bashkëpunojë me policinë. Mes të infiltruarit dhe të pandehurit Kleo Gjinkola është regjistruar një bisedë, ku dëgjohet qartë ky i fundit, duke folur për një sasi lënde eksplozive prej 500 gramësh të llojit C4, e cila e montuar bashkë me një telefon celular kushton 2000 euro. Ndërsa një tjetër lënde eksplozive po e llojit C4, por me dy detonatorë, edhe kjo e lidhur me një aparat celulari, kushton 2500 euro. Në këto biseda tregohet edhe mënyra e përdorimit të këtyre eksplozivëve, se si mund të montohen me magnet, etj. Më datë 26.05.2014 është kryer edhe blerja e simuluar e eksplozivit me shpërthim të komanduar me anë të aparatit celular, blerje e cila është kryer ne qytetin e Lezhës si vend i zgjedhur nga ana e shtetasve të dyshuar. Nga hetimet ka rezultuar se këto bomba prodhoheshin nga të dyshuarit Alban Donaj, i cili kishte aftësi për aparatet telefonikë dhe i dyshuari Fran Kolaj, i cili siguronte lëndën plasëse dhe montimin e saj në aparatet telefonik, duke pasur njohuri mbi to. I dyshuari Kleo Gjinkola ka qenë ndërmjetës midis blerësit dhe të pandehurve, Alban Donaj dhe Fran Kolaj.

PËRGJIMET TELEFONIKE
Nga përgjimet telefonike ka rezultuar se midis personit nën hetim, Alban Donaj me numrin e telefonit xxxx013 dhe numrit të telefonit xxxx642, i cili përdorej nga personi nën hetim Kleo Gjinkola ka pasur shumë komunikime. Në komunikimin e datës 15.06.2014 të orës 07: 08:58 gjatë bisedës Albani i thotë Kleos “…Atë telefonin e rregullove hë…, vetëm tash e ka në dorë Frani me i vu bokset eee…”. Në një komunikim tjetër midis tyre, Albani përdorues i numrit të telefonit xxxxx013 i thotë Kleos: “… Unë njitash, njitash besoj mundem, sa të montoj ‘boksin’ tash, se ma ka pru të pamontumë dhe takoena, po vij më mbrapa…’’. Biseda e datës 22.06.2014 ora 10 :30 :12. Në bisedën e datës 07.07.2014 ora 10 :11 :57 Albani nga numri i tij i telefonit xxxx013 i kërkon Kleo Gjinkolës në numrin xxxxx642 që t’i japë 35 mijë lekë pasi do të blejë dy telefona… Pas kësaj bisede, rreth orës 11 :44 :09 po të datës 07.07.2014 Kleo Gjinkola nga numri i tij xxxx642 flet me Fran Kolën që ka pasur në përdorim numrin xxxx571 ku i thotë për bisedën që ka bërë me Albanin për shumën prej 35 mijë lekëve edhe Frani i thotë Kleos: “…Epo qáshtu të thotë pra, se 10 mijë lekë, 10 mijë lek bojnë dy telefona… Ato i bomë sipër, janë në rregull, nja dy i kam marrë baterinë me i rregullu…”.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: