SHKODËR

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin i koduar “Fermentimi”, kundër informalitetit për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të prodhimit të produkteve ushqimore dhe ka shpallur në kërkim pronarin e objektit ku prodhoheshin produktet ushqimore.


Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Shkodër, në bashkëpunim me strukturat qendrore të AKU-së dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, si dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër Nr. 708, datë 15.10.2019, u zbulua aktiviteti i kundërligjshëm për prodhimin e produkteve ushqimore dhe në përfundim të kontrollit u bë shpallja në kërkim e shtetasit G. B., 61 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhia”, pronar i firmës.


Në lagjen “Skënderbeg”, në zonën industriale ish-fermentimi, në punishten e firmës së këtij shtetasi është konstatuar se prodhoheshin përsëri produkte të ndryshme ushqimore në kundërshtim me ligjin, edhe pse e kishte të ndaluar që nga data 28.03.2018 prodhimin e artikujve ushqimorë.


Në kuadër të këtij operacioni u bë sekuestrimi i të gjitha produkteve, në cilësinë e provës materiale. Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb