TIRANE- Sot ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) siguroi se vendimmarrjet, pjesë e reformës në sektorin energjitik janë konsultuar me grupet e interesit dhe synojnë rritjen e likuiditetit duke bërë të mundur, shlyerjen e borxheve të prapambetura ndaj prodhuesve privatë.
“Qeveria është angazhuar seriozisht për të nisur menjëherë shlyerjen e këtyre borxheve të prapambetura dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë”, thanë sot burimet e MEI-t, sipas të cilit, tarifat aktuale të energjisë elektrike të miratuara nga ERE marrin parasysh vetëm deri 280 mijë megavat energji të prodhuar nga HEC-et e vogla.
Qeveritë e mëparshme kanë firmosur në total 164 kontrata koncesionare për ndërtimin e 435 HEC-eve vendore. Sot prodhimi i energjisë prej tyre arrin në 748 mijë MW dhe në vitin 2015 pritet rritja e mëtejshme deri në 920 MW.
Vendimi i qeverisë me ndryshimet në VKM-në e 2007: “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”, synon rregullimin në marrëdhënien kontraktore mes prodhuesve të vegjël të energjisë elektrike dhe operatorit publik të ngarkuar me detyrimin për të blerë energjinë e prodhuar prej tyre.
Në VKM-në e miratuar së fundi, ndryshohet metodologjia dhe Enti Rregullator i Energjisë do të përllogarisë çmimin e energjisë që prodhuesit privatë do t’i shesin operatorit publik.
Në periudhën 2012-2013 nga sasia e energjisë së blerë nga HEC-et private, kostoja totale e KESH, e pareflektuar në çmimin e rregulluar të shitjes me 2.2 lekësh për kw/h, arriti 32.6 milion euro, ndërsa për vitin 2014, llogaritet 39.7 milion euro, me tendencë rritëse. Nga kjo kosto e pareflektuar dhe borxhet e akumuluara ndër vite, KESH-i ka kërkuar pranë ERE-s rritje të tarifës së shitjes së energjisë nga 2.2 lekë/kwh, në 3.4 lekë/kwh.
“Për të mos rënduar konsumatorin shqiptar me kosto të tepërta dhe për të mbajtur çmime të qëndrueshme të energjisë, qeveria ka vendosur të ndryshojë formulën e llogaritjes së çmimit të blerjes së energjisë prej prodhuesve të vegjël duke e përafruar me çmimet reale të tregut. Rishikimi i metodologjisë do të sjellë efekte pozitive në kostot e blerjës së energjisë për KESH-in në vlerën rreth 2.3 miliardë lekë për vitin 2015, që do të reflektohet në çmimet e shitjes me pakicë për qytetarët duke mos shkaktuar deformim të tregut të brendshëm të energjisë elektrik”, thuhet në njoftimin e MEI-t.
Ndryshimi i metodologjisë së përllogaritjes së cmimit, sipas MEI-t synon të nxisë prodhuesit e vegjël që të mos qëndrojnë të lidhur me kontratat shumëvjecare me cmime të rregulluara, por të dalin në treg të hapur, ku të negociojnë cmimet e tyre operatorë të tjerë të tregut, a konsumatorët, c’ka përkon me vendimin e qeverisë për të hapur tregun e energjisë elektrike deri në masën 40% brenda vitit 2018.
Sipas metodologjisë së sotme, baza e përcaktimit të çmimit referohet tek çmimi mesatar i importit të realizuar në vitin paraardhës nga operatorët publikë të detyruar për blerjen e energjisë, që shpesh nuk pasqyron realitetin, ku referimi në çmimin e energjisë së importuar nuk është konsistent për shkak të sasive të ndryshme që blejnë KESH dhe OSHEE në varësi të nivelit të humbjeve, kushteve hidrike të vendit.
Nisur nga fakti që nder bursat e shkëmbimit të energjisë elektrike, ajo e Hungarisë konsiderohet më përfaqësuese dhe likuide, i shërben gjithë rajonit të Europës Juglindore, ku cmimi përcaktohet mbi baza faktike të kërkesë-ofertës së energjisë së kontraktuar dhe mjaft përfaqësues për tregun e energjisë në rajon, metodologjia e re do të marrë parasysh këtë bazë.
Dhe ndërsa në çmimin e importit të energjisë së kontraktuar përfshihen kostot e kapaciteteve përkatëse deri në kufirin shqiptar, që rrisin çmimin final me të paktën 3-4 Euro për Mwh, energjia e furnizuar nga HEC-et e vegjël nuk mbart kosto të kapaciteteve ndërkufitare, pasi janë të lidhur direkt në sistemin e transmetimit apo shpërndarjes.
MEI reagoi sot pasi investitorët vendas dhe të huaj, të grupuar në Shoqatën për Energjinë e Rinovueshme (AREA) kundërshtuar në një konferencë për shtyp vendimin e qeverisë për uljen e çmimit të blerjes së energjisë tek ta.
Sipas Shoqatës, 61 kompani rrezikohen nga vendimi, i cili parashikon një ulje me 30% të çmimit me të cilin KESH-i ble energjinë e prodhuar nga HEC-et e vogla private dhe me koncesion.
Çmimi i shitjes së energjisë elektrike të HEC-eve te lidhura në sistemin e shpërndarjes dhe ato të lidhura në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike do të llogaritet çdo vit nga ERE dhe do të shpallet në cdo fillimvit.
Pak ditë më parë, qeveria miratoi formulën e re të blerjes së energjisë nga HEC-et deri në 15 MW.
Cmimi i lartë që KESH-i detyrohet të blejë energjinë e prodhuesve privatë është një nga shkaqet kryesore të krizës financiare ne sektorin energjetik. Në vitin 2007, për të nxitur investimet private qeveria miratoi një formulë, që llogariste tarifën që KESH paguan për blerjen e energjisë nga privatët në çmimin e importit të vitit paraardhës, plus 10%. Sot prodhuesit privatë ia shesin energjinë KESH-it me 9.2 lekë për kwh.
Ligji e detyronte KESH-in t’ua blinte këtë energji, edhe nëse ka prodhimin e vet dhe për pasojë, janë rritur kostot për kompaninë publike, duke thelluar krizën financiare të saj dhe sektorit.
Për t’a korrigjuar, qeveria propozon një formulë të re tarife, bazuar te çmimi mesatar vjetor i energjisë në bursën hungareze, të konvertuar në lekë me kursin zyrtar të këmbimit. Vitin që vjen, pritet që kostoja totale që KESH paguan për energjinë e HEC-eve të vogla të ulet me 23 milionë usd.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: