Prodhuesit e mëdhenj amerikanë të automjeteve theksojnë se tarifat e vendosura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mund të çojnë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Në një deklaratë të Shoqatës Amerikane të Prodhuesve të Automobilave (AAPC), Ford, GM dhe Stellantis paralajmëruan për pasojat e mundshme të këtij vendimi.
Tre prodhuesit kryesorë të automjeteve në SHBA kanë deklaruar se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me qeverinë për të ndërtuar politika të qëndrueshme që mbështesin qytetarët amerikanë. Megjithatë, ata bëjnë thirrje për ruajtjen e konkurrueshmërisë në industrinë e automjeteve në Amerikën e Veriut, duke përfshirë Kanadanë dhe Meksikën.
Tarifat prej 25% që Trump planifikon të vendosë për makinat e prodhuara jashtë SHBA-së do të kenë një ndikim negativ në sektorin global të automobilave, përfshirë vetë prodhuesit amerikanë, sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automobilave (ACEA).
“Ne i bëjmë thirrje Presidentit Trump që të marrë parasysh ndikimin negativ të këtyre tarifave, jo vetëm për prodhuesit globalë të makinave, por edhe për industrinë vendase të SHBA-së,” deklaroi Sigrid de Vries, drejtoreshë e përgjithshme e ACEA.
Pas këtij njoftimi “zhgënjyes” nga ana e Trump-it, Shoqata Britanike e Prodhuesve të Automjeteve (SMMT) i bëri thirrje qeverive të Londrës dhe Uashingtonit që të arrijnë një marrëveshje për të shmangur pasojat negative për industrinë britanike të automobilave. “Në vend që të vendosen tarifa të reja, duhet të eksplorojmë mundësi për të krijuar hapësira të reja për prodhuesit britanikë dhe amerikanë,” tha Mike Hawes, drejtori i përgjithshëm i SMMT-së, në një deklaratë të dhënë mbrëmjen e së mërkurës.
Britania e Madhe është aktualisht në negociata me SHBA-në për të arritur një marrëveshje ekonomike që do të shmangte tarifat amerikane, të cilat kanë ndikuar negativisht në shumë vende gjatë javëve të fundit.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Presidenti Trump njoftoi dje vendosjen e tarifave shtesë prej 25% për makinat e prodhuara jashtë SHBA-së, duke deklaruar se këto masa do të hyjnë në fuqi nga 2 prilli dhe do të prekin “të gjitha makinat që nuk janë prodhuar në SHBA”.
Ky vendim, sipas Mike Hawes, “nuk është befasues, por është zhgënjyes”, duke bërë thirrje për një marrëveshje të menjëhershme midis dy palëve për të shmangur pasojat negative në industri.
Muajin e kaluar, Trump kishte rritur shpresat britanike për një marrëveshje më të favorshme gjatë vizitës së Kryeministrit britanik, Keir Starmer, në SHBA. Ai siguroi se Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të arrinin “një marrëveshje të vërtetë tregtare ku tarifat nuk do të ishin të nevojshme”.
Kryeministri britanik dhe Presidenti i SHBA-së diskutuan përparimin drejt një marrëveshjeje ekonomike në një bisedë të shkurtër telefonike, njoftoi Downing Street të hënën. Kjo bisedë vjen pas vizitës në Uashington javën e kaluar të ministrit britanik të Tregtisë, Jonathan Reynolds, i cili po punon për të arritur një marrëveshje që do të shmangte tarifat e reja amerikane.