Partia Demokratike ka denoncuar se produkte të ndaluara në vende të Bashkimit Europian janë futur në vendin tonë. Anëtari i Kryesisë në PD, Grigels Muçollari u shpreh se kremi i orizit biologjik, që është ushqim per foshnja, është futur në tregjet tona, por theksoi se Italia ka konstatuar përmbajtje arseniku.
Ai shtoi se vendi fqinj e ka konsideruar si shqetësues dhe më 3 dhjetor, kanë dhënë alertin.
“Produkti ka pasur kohën e mjaftueshme për fat të keq për të qarkulluar në çdo dyqan, për t’u blerë dhe për t’u konsumuar.
Ndërkohë kemi të tjera raste të cilat lidhen me përmbajtjen e dioksidit te Sulfuri në kanellë si dhe prani të kadiumit ne spinaq te importuar”, tha Muçollari.
Deklarata e anëtarit të Kryesisë së PD Grigels Muçollari:
Me gjithë shqetësimet e ngritura, me gjithë denoncimet, nuk ka përmirësim në sigurinë ushqimore, që është një nga elementet më të rëndësishme në jetën tonë. Është tronditëse që ditet e fundit ngarkesa të medha me mandarina prodhim i yni, janë kthyer mbrapsht nga disa vende të BE duke nisur nga Kroacia, për shkak të permbatjes së lartē të pesticideve, tē demshme për jeten. Kjo ndodh sepse fermerin tonë askush nuk e asiston, nuk e monitoron, nuk e ndihmon. AKU nuk ekziston.
Ato mandarina me permbajtje të ketyre elementeve tē rrezikshme me siguri që janë në tregun tonë dhe po konsumohen edhe tani që flasim. Pse? Sepse AKU, Ministrja e Bujqësisë dhe qeveria nuk bëjnë detyrën. Plehrat kimike dhe pesticidet qe ju ofrohen fermerëve nuk kontrollohen per përmbajtjen reale te tyre. Nuk jane te paktat rastet kur fermerët kane zbatuar protokollet ne menyre rigoroze por me pas produktet i janë kthyer ne kufijtë e BE se.
Institucionet Shqiptare nuk ekzistojnë.
Sot do ti referohemi nje tjetër rasti, i cili ka të bëjë me kremin e orizit biologjik, ushqim per foshnja.
Një produkt importi ky i futur në tregjet tona.
Italia ka konstatuar përmbajtje arseniku, dhe e quan shumë shqetësues si rast. Me 3 dhjetor, ata kanë dhënë alertin. E tregon kjo fotoja këtu. Kanë njoftuar mbi këtë rrezik. Çfarë bën AKU?
AKU reagon pas dy javësh. Agjensia jonë, u thotë konsumatorëve dhe qytetarëve të bëjnë kujdes, 14 ditë pas marrjes së alertit. Siç shihet nga kjo fotoja.
Pra produkti ka pasur kohën e mjaftueshme për fat të keq për të qarkulluar në çdo dyqan, për t’u blerë dhe për t’u konsumuar.
Ndërkohë kemi të tjera raste të cilat lidhen me përmbajtjen e dioksidit te Sulfuri në kanellë si dhe prani të kadiumit ne spinaq te importuar.
Të dyja rastet janë raportuar nga BE në tetor të këtij viti ndërsa AKU i ka raportuar 1 muaj me vonesë. Pra produktet kanë pasur kohën e mjaftueshme prap për fatin e keq për të qarkulluar në çdo dyqan, për t’u blerë dhe për t’u konsumuar.
Kush mban përgjegjësi për këto raste? Ndërkohë ne nuk dimë asnjë masë të marrë, asnjë ndryshim, asnjë reflektim nga ana e qeverisë, e Ministres së Bujqësisë që e ka në varësi direkte këtë sektor, pas shumë dëshmive që ne dhe mediat kemi sjellë gjatë këtij viti për dështimin e AKU.
Këto janë jo vetëm mospërmbushje e detyrës, por dhe më keq, shkelje të rënda. Janë abuzim, shpërdorim detyre që duhet të ndiqen penalisht e përgjegjësit të dalin para ligjit. Siguria ushqimore është po aq e rëndësishme sa siguria kombëtare.
Partia Demokratike do të hartojë një platformë e do të angazhohet me gjithë burimet e saj që siguria ushqimore të mos mungojë në Shqipëri. Do të bëjmë gjithçka që të ketë siguri ushqimore për fëmijët tanë, për prindërit tanë, dhe për çdo qytetar.
(BalkanWeb)