Nga: DRITAN HILA *
Skandali i fundit i ndodhur në ambientet e QSUT, ku një adoleshente ishte objekt ngacmimesh, ka ngjallur edhe një herë debatin nëse sistemi ynë shëndetësor është në rrugën e duhur dhe nëse investimi qeveritar ndaj tij është efektiv. Ka gjasa se të gjithë debatuesve u mungon kultura bazike e funksionizmit të këtij mekanizmi dhe aq më shumë të atij shqiptar, i cili ende është në fazë tranzicioni. Por ajo që e dallon është diskutimi ndërmjet publikes dhe privates, ku publikja dënohet apriori. Në bazë të sentencës së këtij dënimi, qëndron presupozimi se njeriu është qenie grabitqare, se humanizmi është jo kompatibël me rregullat e tregut, por është shpikur nga filozofët për t’u ngrënë kohën studentëve, ndaj fati i këtij sistemi duhet lënë në dorë të mekanizmit të tregut.
Në të vërtetë dhe si gjithmonë, zgjidhja qëndron gjithnjë diku në mes. Duhet gjetur mesi, që të kapet filli i Arianës dhe dilet nga ky labirint i mjekësisë. Duke logjikuar në invers, nëse një mjek nuk ka humanizëm kur punon në spitalin publik, po aq pak ka kur është i punësuar në atë privat. Shembujt që vendosen në evidencë nga media janë përqendruar te publiku, pasi financohet nga paratë tona. Por edhe te privati janë të shumtë shembujt, kur infermierja ose doktori kërkon shpërblim ekstra tarifës. Edhe në spitalet private ka mjekë të rekomandojnë kryerjen e shërbimit në studiot e tyre, me gjysmën e tarifës që kërkon spitali. Qënia njerëzore është gjithmonë mes dilemës së moralshmes dhe asaj pa moral. Lufta mijëvjeçare e saj ka qenë për përsosjen e vetes dhe mosdorëzimit ndaj tundimit të parasë, e lejueshme vetëm atëherë, kur kjo nuk dëmton të ngjashmin tënd apo të pamundurin. Ndaj është absurde të mendohet se në Shqipëri mund të zgjidhen problemet e korrupsionit dhe degradimit në mjekësi, vetëm nëpërmjet mekanizmave financiarë. “Dora e padukshme” e Adam Smithit është zhveshur me kohë nga prezumimi i hyjnor i saj dhe është pranuar se pa ndërhyrjen e njeriut dhe moralit njerëzor në mekanizmin e tregut, ai kthehet në xhungël ku mbijetojnë vetëm të fortët, me rezultat kaosin total në fund të seleksionimit.
Në rastin e mjekësisë shqiptare, kemi të bëjmë me një sistem të mballosur vit mbas viti, sa nuk dihet kush është stofi origjinal. Por edhe pse rasti duket i dëshpëruar, baza e tij duhet të jetë përkushtimi i bluzave të bardha ndaj jetës së njeriut. Betimi i Hipokratit aq shumë i përfolur vlen edhe sot e kësaj dite. Dhe për të mos bërë moralistin steril, duhet edhe një mekanizëm që të mundësojë kompensimin dinjitoz të anëtarëve të këtij urdhri, i cili është edhe thembra e Akilit. Trajtimi i spitaleve si një ndërmarrje publike është një variant i aplikuar nga italianët. Skema e organizimit të këtyre njësive mbetet të shikohet me hollësi. Sigurimi shtetëror i kombinuar me atë privat është një mundësi tjetër. Por të gjitha këto do të çalojnë me një personel në pragun e urisë. Ndoshta pagesa e një shume simbolike për çdo vizitë, jo më shumë se dyqind lekë, do të kompensonte ndjeshëm rrogën e mjekëve dhe infermierëve. Pagesa e një tarife të pranueshme edhe për pensionistët në rastin e analizave do të ishte tjetër ndihmesë dhe frenim për abuzime. Shpërblimi i mjekëve të familjes me tarifë mbi numrin e pacientëve do të ishte gjithashtu një variant. Nga të gjitha këto, asnjëra nuk është e thënë të jetë efikase pa u testuar në poligon. Ashtu siç kopjimi i një skeme të gatshme nga dikush tjetër, ka probabilitete të larta të pësojë fiasko. Ajo që duhet është një skemë për terrenin shqiptar dhe mentalitetin vendas. Por të harrojnë se çfarëdolloj skeme mund të funksionojë pa pasionin e mjekëve dhe infermiereve, pa përkushtimin e tyre, pa dashurinë për atë që lëngon në krevat.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: