Një ish sigurims dhe një shkrimtar vihen përballë pas rënies së regjimit, për të zbuluar se për 18 vite kanë qenë kaq pranë, por në dy anë të kundërta. Aktori Viktor Zhusti shpjegon shfaqjen që ngjitet këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar

Një ish sigurims dhe një shkrimtar takohen pas rënies së regjimit komunist dhe zbulojnë vitet e përndjekjes dhe mungesës së lirisë përmes një bauleje me artikuj, shkrime e vepra.

“Shërbeu për 30 vjet një sistemi të caktuar dhe e kupton për herë të parë që ka bërë rolin e qenit që vetëm ka nuhatur, vetëm ka lehur, vetëm ka kafshuar por nuk ka provuar asgjë në jetën e tij, në atë që është jeta e vërtetë, jetë shpirtërore e intelektuale” , thotë aktori i njohur Viktor Zhusti.

Ai vjen në rolin e ish sigurimsit dhe zbulon detajet e shfaqjes që ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar këtë fundjavë, më 17, 18 dhe 19 shkurt.

“Roli im është një person i cili është vërtitur dhe ka qenë protagonist në jetën tonë para viteve 1990 dhe që fillon tani të përpiqet të mbijetojë dhe të zvarritet në këtë periudhë të fundit të jetës së tij qoftë si moshë, qoftë si aktivitet”, shprehet aktori.

“Profesionisti” mban firmën e regjisorit Leka Bungo dhe ka katër personazhe. Vepra serbe gjen një shtrat pothuaj natyral shqiptar ku individi vuan në një kohë shtypjen e përdorimin e në tjetrën, mosmbajtjen e përgjegjësisë e injorimin.

“Për personazhin tim, që më thotë më shumë si njeri e aktor- është finalja. Ky personazh pasi ka dokumentuar dhe treguar jetën e shkrimtarit disident që e ka ndjekur për 18 vjet, dhe i ka zbuluar jetën që nuk e njihte, zbulon që edhe ky vetë, edhe pse nuk i ka bërë dëm atij, ka një dramë të madhe”, zbulon ai.

Batuta e humor, dialogje intelektuale e një mea culpa skenike, mbi atë që ishim e atë që jemi, përbëjnë narrativën e “Profesionistit” që grish publikun kryeqytetas.

(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb