TIRANE- Universiteti “Luarasi” vijon traditën duke ftuar personalitete për të dhënë leksione të hapura në auditor për studentët e fakultetit Ekonomik dhe Jurisprudencës. Këtë radhë ka qenë e ftuar Profesoresha izrealite Noga Kapp, autoritet ndërkombëtar në fushën e mendimit ekonomik dhe lektore në universitetin shtetëror të Tel Avivit.

Zonja Kapp ka ardhur me mision në Shqipëri për të zhvilluar një program startupi në fushën e biznesit e veçanërisht për të nxitur të rinjtë të ngrijnë një biznes, apo për të mbështetur idetë e tyre novatore. Ambasada izraelite ka për këtë një plan konkret.
“Kemi menduar të hapim disa shtëpi zhvillimi këtu në Shqipëri që studentët të japin eksperiencën e tyre dhe të bashkëpunojnë në kuadër të biznesit. Ne mendojmë të bashkëpunojmë ndërmjet praktikave të studentëve shqiptarë me ata izraelitë që do të vijnë në Shqipëri. Mendoj se Shqipëria ka bërë shumë rrugë përpara për tu zhvilluar në rrugën ekonomike ashtu siç ka bërë edhe Izraeli, ne mendojmë të bashkëpunojmë. Ne mendojmë të bashkëpunojmë në kuadër të fillimit të bizneseve start up ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.”- u shpreh Prof. Noga Kapp.

Zonja Kapp shprehet se shikon një klimë të favorshme për biznesin sidomos përsa i përket aktivitetit sipërmarrës së të rinjve.

“ Kam vëne re të rinj shumë entuziastë, në të ardhmen mendoj se do të kemi edhe një marrëveshje mes dy universiteteve të Luarasit dhe atij të Tel Aviv-it” – theksoi Kapp.

Ajo prezantoi përpara të rinjve një panoramë të gjerë të arritjeve ekonomike të Izraelit, ku të rinjve iu jepen mundësi reale për të zhvilluar një ide inovatore apo një produkt… Motoja që motorët e ekonomisë izrealite janë gjithnjë në lëvizje marramendëse sipas profesores Kapp është: Puno fortë dhe bëj diferencën.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: