Një lajm i trishtë ka tronditur sot shqiptarët, me lajmin se zemra e shkrimtarit të madh Ismail Kadare pushoi së rrahuri. BalkanWeb sjell profilin e shkrimtarit të madh, që nga vegjëlia e tij në qytetin e gurtë, Gjirokastër, te zbulimi i pasionit për letërsinë.

Kush ishte Ismail Kadare

Ismail Kadare lindi në 28 janar të 1936 në Gjirokastër. Ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82) dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhej kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihej edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Kadare nisi të shkruante kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin ‘Man Booker International’ më 2005, çmimin ‘Princesa de Asturias’ për Artet më 2009 dhe Çmimin ‘Jeruzalem’ më 2015. Viteve të fundit ai e ndau kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. Qëndrimet kritike janë të ndara nëse Kadareja duhet parë si disident apo si konformist gjatë regjimit komunist.

Veprat

Fillimisht tërhoqi vëmendjen si poet, por ishin librat në prozë që e bënë të famshëm. “Tani unë ngjitem lart dhe s’kam asnjë gezim./Këtu ku kam arritur më ftohtë është, më vetmi./E dija këtë, por padurimi i vdekur/Më shtynte të shpejtoj te ky sinor i kotë.” (I.K.) “Gjenerali i ushtrisë se vdekur” (1963), është romani i tij më i njohur, por edhe libri i tij i parë që arriti audiencën ndërkombëtare. Ndër romanet e tjera të Kadaresë që kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë është “Kështjella” (1970), me ngjarje në shekullin e 15-të gjatë rezistencës së armatosur të popullit shqiptar kundër osmanëve.

E njëjta temë e rezistencës, por në një kontekst politik, rishfaqet tek “Dimri i Madh” (1977), me ngjarjet që pasuan prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në vitin 1961. “Ura me tri harqe” (1978) vendoset në Shqipërinë mesjetare. Veprat e mëvonshme të Kadaresë përfshijnë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981); “Dosja H.” (1990) dhe “Piramida” (1995). Libri “Tri këngë zie për Kosovën” (1999) përbëhet nga tre tregime për një betejë të shekullit të 14-të mes udhëheqësve të Ballkanit dhe Perandorisë Osmane (në Fushë Kosovë). “Lulet e ftohta të marsit” (2000), tregon historinë e një piktori në Shqipërinë pas-komuniste; “Pasardhësi” (2003) shqyrton fatin e një prej pasardhësve imagjinarë të Enver Hoxhës.

“Darka e gabuar” (2008) ndjek jetën e dy mjekëve në një seri ngjarjesh të lidhura me hyrjen e trupave naziste në Gjirokastër në vitin 1943. “Romani Kronikë në gur” (1976), është një libër ku Kadare flet më shumë për fëmijërinë e tij, si dhe për qytetin e vet, Gjirokastër. Tek “Eskili, ky humbës i madh” (1988), autori shqyrton afërsitë mes kulturave shqiptare dhe greke nga antikiteti në kohët moderne. Ndërsa në librin “Nga një dhjetor në tjetrin” (1991) Kadare shpreh pikëpamjet e tij mbi politikën shqiptare 1944 – 1990. Kandidat për çmimin Nobel në letërsi, Kadare, është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare. Ismail Kadare u nominua 15 herë për çmimin Nobel.

Vitet ’70, suksesi ndërkombëtar

Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze Albin Michel botoi në frëngjisht romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë. Më tej iu rikthye prapë temave historike. Shkroi e botoi romanet Kështjella (1970) dhe Kronikë në gur (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, “Les Lettres albanaises”.

Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare shkroi romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave, u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar “Dimri i madh” dhe u përkthye edhe në frëngjisht.

(BalkanWeb)0

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: