TIRANE- Mesfushori Gerhard Progni flet për fitoren në Fier dhe sfidën e nesërme me Flamurtarin. Në një intervistë për gazetën ‘Sport Ekspres’ ai thekson se gjyqtarët po influencojnë në ecurinë e Superligës.

Eshtë bërë e tashmë e pashmangshme që lojtarët e Skënderbeut të flasin për gjykimet, sepse u bënë disa ndeshje radhazi, që vendimet e tyre kanë qenë kundër skuadrës kampione. “Ndoshta gjyqtarët po influencohen nga ekipet e tjera, ndoshta jo, por këto vendime të turpshme kundër nesh janë bërë hapur fare. Më mirë le të dalin dhe ta thonë troç, që nuk e merr titullin Skënderbeu dhe ta dimë, që të paktën të mos dëmtohemi nëpër fusha. Ne kemi të qartë se i kemi të gjithë kundër”, – thekson mes të tjerash mesfushori i Skënderbeut, Gerhard Progni, i cili pohon se e ka ende në mendje ndërhyrjen e ashpër të portierit Çakoviç. Lojtari thotë se nuk mban mend gjë, sepse në atë moment, për pak sekonda, humbi ndjenjat.

Progni, së pari të flasim për atë ndërhyrje të Cakoviçit ndaj jush, që ishte shumë e ashpër. Si jeni?
Në fakt, nuk mbaj mend asgjë. Nëse më besoni, në momentin që më ndërhyri portieri, mendova se e preka unë topin, por më pas nuk e mbaj mend mirë se çfarë ndodhi. Ishte një moment, që dua ta harroj, por dua të them se gjyqtarët duhet të jenë më të kujdesshëm në vendimet e tyre. Ne futbollistët jemi kthyer në një makineri dhe shpresoj që skena të tilla të mos ndodhin më. Po habitem si gjyqtari nuk dha karton, ndërkohë që për ndërhyrjen e Shkëmbit, që nuk ishte aspak bërryl dha karton të kuq. Bëjeni krahasimin vetë, s’kam çfarë them më shumë.

Ju mendoni se gjyqtarët po ndikojnë në fatet e ndeshjeve këto javë të fundit, pasi u bënë 3 javë që kontestoni?
Të them të drejtën, nuk e kuptoj çfarë po ndodh. Ndoshta gjyqtarët po influencohen nga ekipet e tjera, ndoshta jo, por këto vendime të turpshme kundër nesh po bëhen hapur. Më mirë gjyqtarët të na e thonë troç se Skënderbeu nuk e merr titullin dhe ne ta dimë dhe të ruhemi nëpër fusha.

Kalojmë te ndeshja e së mërkurës ndaj Flamurtarit për Kupën e Shqipërisë. Si ju duket?
Padiskutim që është një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë kjo ndaj vlonjatëve. Jemi duke menduar vetëm për të dhe besoj se do të jemi ne ata që do të kualifikohemi. Pasi të mbyllet kjo ndeshje, do të flasim për Kukësin për kampionat.

Barazimi 1-1 në Vlorë, sa e favorizon Skënderbeun në ndeshjen e kthimit?
Ne do të luajmë për ta fituar këtë takim dhe nuk do të mendojmë aspak për rezultatin e Vlorës. Flamurtari ka një skuadër shumë të mirë dhe do të luajë për ta fituar, pasi nuk ka çfarë të humbasë. Duhet të jemi të kujdesshëm në prapavijë dhe shpresoj të shënojmë sa më parë.

Progni, si e mendoni çështjen e titullit kampion?
Nëse luhet ndershëm deri në fund, e them me bindje se jemi kampionë 100%. Por, nëse e kanë vendosur të tjerët dhe e kanë në dorë gjyqtarët, nuk di çfarë të them. Në ndeshjen e ardhshme në kampionat me Kukësin kemi shansin ta parakalojmë këtë rival me një fitore të mundshme.

Stojkov deklaroi se ishte merita juaj për golin që shënoi në Fier. A mendoni se sulmi, pas pezullimit të Peterit është aty ku duhet?
Në ndeshjet e kaluara goli ka qenë “makthi” i Skënderbeut. Jemi treguar në këtë fazë të tretë superiorë në fushë, por kemi qenë të tensionuar dhe na ka munguar goli. Pas fitores në Fier do të jemi më të qetë. Sa për golin e Stojkovit, është vlerësimi i tij. Gjithsesi, kur shënon një lojtar, ka shënuar gjithë skuadra. Nëse Stojkov do të jetë pak më mirë fizikisht, do të jetë shumë i rëndësishëm për Skënderbeun. Por mos harroni Sefën, pasi është lojtar që ka shënuar gola për Skënderbeun. Për momentin është në stol, por do të vijë edhe momenti i tij. E rëndësishme është që të gjithë ndihemi mirë në këtë moment dhe shpresoj që javët në vazhdim, përveç lojës, do të vijnë edhe pikët.

Një parashikim për ndeshjen e së mërkurës me Flamurtarin?
Do të jemi ne ata që do të kalojmë më tej dhe këtë do ta vërtetojmë në fushë. Skënderbeu këtë vit synon edhe fitimin e trofeut të Kupës dhe jemi në rrugën e duhur.

4 gola Ka shënuar Gerhard Progni me fanellën e Skënderbeut në këtë kampionat, duke i dhënë pikë të çmuara skuadrës së tij.

1-1 ka përfunduar ndeshja e parë e Kupës në Vlorë dhe ky rezultat favorizon korçarët, pasi kanë shënuar në fushë kundërshtare.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: