Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka shpërndarë një mesazh për të rinjtë shqiptarë në një postim në Facebook, duke theksuar se ata kanë qenë gjithmonë zëri i protestës dhe ndryshimit, por për 12 vite u është mohuar vëmendja dhe mjetet politike për të përfaqësuar realisht interesat e tyre.

“Ky brez i inteligjencës artificiale, i mundësive të pamata për zhvillim personal e shoqëror, përballet me paradoksin e jetesës në një sistem që nuk u plotëson asnjë pritshmëri,” shkruan Këlliçi.

Ai nënvizoi se Partia Demokratike është e angazhuar për të dëgjuar dhe për të reflektuar aspiratat e të rinjve në programin e saj politik. Ndaj, PD ka përfshirë në program subvencione për studentët dhe sipërmarrësit e rinj, si edhe masa konkrete për modernizimin dhe dixhitalizimin e vendit.

“Të rinjtë sot kanë më shumë nevojë të dëgjohen sesa t’u japim leksione demokracie,” shtoi Këlliçi, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Shqipëria e së ardhmes është Shqipëria e të rinjve.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb