TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të prezantojë nesër në parlament programin e qeverisë së tij për 4-vjeçarin e ardhshëm, mandati i dyte i tij. “BalkanWeb” ka zbardhur të plotë programin duke sjellë disa nga pikat më të rëndësishme të tij.

Duke nisur nga ekonomia, ku parashikohet që me anë të këtij programi të ketë rrije të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse, qeveria shqiptare angazhohet për uljen graduale të borxhit publik në rreth 60% të PBB-së deri në fund të mandatit.

Po kështu parashikohet që investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit do të jenë rreth 5% e PBB-së, ndërsa qeveria zotohet të injektojë më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi. Një tjetër risi ka të bëjë me tatimin mbi të ardhurat personale për fashën e lartë të të ardhurave nga paga që ulet në 18%.

Një pikë e rëndësishme e programit ekonomik parashikon që t’iu jepet ndihmë familjeve të reja për blerjen e shtëpisë së parë, duke njohur si shpenzime të zbritshme interesat e kredive të marra për këtë qëllim.

Është e njohur ambicia e qeverisë për të çuar rritjen ekonomike mesatare në rreth 5.5 – 6 përqind të PBB-së në fund të mandatit 4-vjeçar.

Ndërsa angazhimi i Qeverisë për mandatin 2017-2021 është sigurimi i të ardhurave buxhetore në nivelin 28% të PBB-së.

programi13

RRITJE E QËNDRUESHME GJITHËPËRFSHIRËSE
Rritja ekonomike cilësore, inteligjente dhe gjithëpërfshirëse mbetet burim kryesor në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Gjatë mandatit 2017-2021, Qeveria do të angazhohet me prioritet në konsolidimin e stabilitetit makroekonomik, rritjen e punësimit, zhvillimin e infrastrukturës, sektorit energjetik e minerar, bujqësisë, agroindustrisë dhe turizmit.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet politikave ekonomike e financiare që stimulojnë investimet në drejtim të rritjes dhe të zgjerimit të industrializimit nëpërmjet shtimit të aktiviteteve me karakter industrial.
Kjo do të synojë rritjen e kapaciteteve prodhuese e përpunuese të sektorit industrial në Shqipëri. Përqendrimi i vëmendjes drejt rritjes së nivelit të industrializimit të lehtë të vendit përbën një nga prioritetet e qeverisjes sonë në mandatin 2017-2021. 2.1 Stabiliteti makroekonomik
Përmes zbatimit të plotë të këtij programi ne synojmë një rritje ekonomike mesatare rreth 4.5 përqind për të arritur në rreth 5.5 – 6 përqind të PBB-së në fund të mandatit.

Programi 2017-2021 rikonfirmon konsolidimin fiskal si një objektiv prioritar të tij. Qeveria Shqiptare angazhohet për uljen graduale të borxhit publik në rreth 60% të PBB-së deri në fund të mandatit. Investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit do të jenë rreth 5% e PBB-së.
Jemi të vendosur për të vazhduar përdorimin e instrumenteve financiare, si Partneriteti Publik – Privat, për projekte me rëndësi të veçantë në ekonomi, për të siguruar investime në infrastrukturë dhe shërbime publike të domosdoshme për qytetarët dhe për rritjen ekonomike të vendit.

Me paketën “1 Miliard” do të injektojmë më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi, nëpërmjet angazhimit të kapitaleve private në një numër të madh projektesh investuese, duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve prioritarë.

Pas rritjes së të ardhurave buxhetore me rreth 3.7% të PBB-së gjatë mandatit 2013-2017, angazhimi i Qeverisë për mandatin 2017-2021 është sigurimi i të ardhurave në nivelin 28% të PBB-së.
Ky synim mbështetet në zbatimin e Strategjisë së Manaxhimit të Financave Publike 2014-2020, ku kontribut kryesor do të kenë rritja ekonomike, lufta kundër informalitetit, zhvillimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit të administratave fiskale për të rritur efiçencën e punës, zhvillimi i mëtejshëm i kuadrit legjislativ fiskal, si dhe forcimi i burimeve njerëzore të administratës. Politika fiskale e katër viteve të ardhshme do të orientohet drejt qëndrueshmërisë dhe nxitjes së sektorëve prioritarë.

Progresiviteti do të vazhdojë të jetë në qendër të filozofisë sonë fiskale. Ne do të vazhdojmë përkrahjen e sipërmarrjes me masa fiskale, përveç lehtësive procedurale që tashmë janë aplikuar.
Gjatë mandatit të dytë synohet që:
• Tatimi mbi të ardhurat personale për fashën e lartë të të ardhurave nga paga të ulet në 18%.
• Tatimi mbi dividendin të reduktohet në 6%
• Tatim-Fitimi për prodhimin në Teknologjinë e Informacionit për të nxitur zhvillime në një industri të domosdoshme për zhvillimin ekonomik afatgjatë të shkojë në 5%
• T’iu jepet ndihmë familjeve të reja për blerjen e shtëpisë së parë, duke njohur si shpenzime të zbritshme interesat e kredive të marra për këtë qëllim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb