Ishte planifikuar të paktën një ndeshje miqësore nga stafi i Skënderbeut gjatë periudhës së ndërprerjes së kampionatit. Dhe sot trajneri Ivan Gvozdenoviç do të ketë mundësi t’i testojë të tijtë në kushte loje, pasi do të luhet një miqësore me Pogradecin e Kategorisë së Parë. Ndeshja është planifikuar të zhvillohet në stadiumin “Skënderbeu” të qytetit të Korçës, në orën 14:00. Qëllimi kryesor është për t’i mbajtur futbollistët në tonus, në mënyrë që ata të mos e humbin fizikisht ritmin që kishin fituar pas 8 javëve të para të kampionatit. Për më tepër, korçarët kanë disa gjëra për të ndrequr para ndeshjes së radhës me Bylisin në kampionat. Skënderbeu ka nevojë emergjente për pikë, pasi vjen pas 4 humbjesh në 5 javët e fundit dhe mund të rrëshqasë më keq, nëse nuk reagon në Ballsh. Ndaj një kundërshtari të lehtë, korçarët pritet të marrin një rezultat të mirë, që do t’i shërbente moralit.
MUNGESAT – Trajneri Ivan Gvozdenoviç do të ketë mungesa në testin e sotëm dhe bëhet fjalë për tre titullarë të angazhuar me Kombëtaren U-21. Janaqi, Nikaj dhe Rashica janë grumbulluar nga trajneri Alban Bushi për ndeshjen e 15 tetorit me Armeninë. Pritet që sot të aktivizohen lojtarë që kanë pasur pak minuta në javët e deritanishme të kampionatit. Stafi teknik mund të bëjë edhe një provë për mbrojtjen, duke ditur që me Bylisin do të mungojë Vaskez, i skualifikuar për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e fundit kundër Egnatias. Në krah të kapitenit Elvis Prençi pritet të luajë braziliani Ramos, nëse trajneri Gvozdenoviç nuk do të bëjë ndonjë lëvizje surprizë.