Kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe drejtoresha ekzekutive e “Albanian Investment Corporation”, Elira Kokona janë sot pjesë e programit “Urat e reja për Shqipërinë 2030”.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë Rama u shpreh se prezantohet një fazë e re e programit për zhvillimin e pronave publike në funksion të përmirësimit të kushteve të administratës shtetërore në kuadër të përmirësimin e kushteve të punës.
Ai u ndal edhe tek fakti që shumë ndërtesa ish fabrikash shtetërore dhe jo vetëm, tashmë janë vetëm ngrehina pa asnjë përfitim, përveçse prishin peizazhin estetik të zonave ku ndodhen.
“Prezantojmë një fazë të re të programit për zhvillimin e pronave publike në funksion të përmirësimit të kushteve të administratës shtetërore në kuadër të përmirësimin e kushteve të punës.
Besoj që të gjithë keni parasysh skelete fabrikash apo ndërmarrjesh të vjetra që vijojnë të cënojnë peizazhin tonë dhe janë shëmbëlltyra të proceseve të shkuara të privatizimeve të cilat në një pjesë të konsiderueshme nuk kanë sjellë asgjë veç degradimit të aseteve.
Jemi sot këtu për të ndarë me ju një qasje tërësisht tjetër të bazuar në eksperiencat e praktikat më të mira ndërkombëtare, nisur nga eksperiencat e Italisë dhe Spanjës që prej vitesh kanë ngritur struktura të ngjashme si Korporata Shqiptare e Investimeve, struktura që janë në dispozicion të sektorit publik duke shërbejnë si ura të fuqishme për ndërveprime komplekse me sektorin privat.
Sot prezantojmë disa projekte të para, rezultat i konkurseve ndërkombëtare, që lidhen me zhvillime të përbashkëta me sipërmarrjen, që vendosen përmes garave të hapura dhe synojnë të vënë në dispozicion shtetit hapësira të reja me standarde europiane për aktivitetin e administratës publike dhe t’i japin mundësi sipërmarrjes që në këmbim të bëjë biznes duke hyrë në një marrëdhënie me shtetin”, tha ai.