Ministria e Zhvillimit Urban parashikohet të ketë një buxhet prej 11.6 miliard lekë për investimet dhe shpenzimet operative gjatë vitit 2017. Kjo është vlera më e lartë e alokuar nën zërin investime për Ministrinë e Zhvillimit Urban, që prej krijimit të këtij institucioni në vitin 2013.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni prezantoi sot në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese projektbuxhetin 2017 për MZHU, ku një prej risive kryesore është kalimi i grantit konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale, me burim financimi programin e Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, në vlerën 9.5 miliardë lekë.

“Projektbuxheti i vitit 2017 do të garantojë realizimin me sukses të të gjithë reformave të premtuara në Programin tonë qeverisës 2013 – 2017, si dhe në finalizimin me sukses të të gjithë projekteve të nisura e që priten të përfundojnë në vitin që vjen”, tha Ministrja Gjermeni në fjalën përpara deputetëve.

Duke u ndalur në disbursimin e grantit konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale në vlerën 9.5 miliardë lekë, Ministrja theksoi se Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, që prej vitit 2014, ka funksionuar si një strukturë e riformatuar qoftë për nga pikëpamja financiare por dhe në kuadër të gamës së gjerë të projekteve që mbështet.

“Asnjë bashki e Shqipërisë nga Veriu në Jug nuk ka mbetur pa u prekur nga programi kombëtar “Rilindja Urbane”. Për periudhën 2014 – 2016 janë investuar rreth 28 miliardë lekë, për zbatimin e 328 projekteve të infrastrukturës vendore. Duke qenë se janë plot 80 projekte. nga të cilat 6 të miratuara në vitin 2015 dhe 74 të miratuara në vitin 2016, që vijojnë zbatimin edhe përgjatë vitit 2017, me fondet e alokuara në 2017 ne do të vijojmë me likuidimin e detyrimeve kontraktuale për këto projekte. Gjatë vitit të ardhshëm do të financohet edhe programi “Shqipëria Dixhitale”, i cili përbëhet nga granti konkurrues për inovacionin dhe teknologjinë e komunikimit”, deklaroi mes të tjerash ajo.

Një prej sektorëve më të mbështetur edhe në p/buxhetin e vitit 2017 ështe strehimi, fondi për të cilin është dy herë më i madh krahasur me vitin që po mbyllet.

“Në fushën e strehimit për të garantuar kushte të përmirësuara jetese dhe ofrimin e një strehimi të përballueshëm për qytetarët, kemi parashikuar 560 milionë lekë nga të cilat, 250 milionë lekë nga shpenzimet korrente do të përdoren për subvensionimin e interesave të kredive me përfitues 4’300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët, duke zvogëluar numrin e të pastrehëve në mbarë vendin”, tha Ministrja Gjermeni.

Pas financimit të Planeve të Përgjithshme Vendore për 26 bashki gjatë vitit 2016, Qeveria në buxhetin e vitit të ardhshëm ka parashikuar të mbështesë financiarisht edhe 7 bashki të reja, duke e çuar në 43 numrin e bashkive që marrin fonde nga Këshilli i Ministrave për hartimin e planeve vendore.

Ndërkohë, Ministrja Gjermeni, krahas tabelës përmbledhëse për punën e MZHU gjatë vitit 2016, tha se legalizimi do të vijojë të mbetet një ndër prioritet kyçe të ministrisë që ajo drejton. Për vitin 2017, në buxhetin e ri janë parashikuar për ALUIZNI-n rreth 97.6 milionë lekë investime për intensifikimin e procesit për legalizimin e rreth 40.000 objekteve të reja në zonat masive informale përgjatë vitit 2017.

Në projektin buxhetin e Ministrisë së Zhvillimit Urban prej 11.6 miliard lekësh, 10.5 miliardë lekë janë parashikuar investime dhe 1.1 miliardë lekë shpenzime operative.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb