Kuvendi zhvilloi dje një seancë maratonë që zgjati për mbi 12 orë, me diskutime për projektbuxhetin e vitit 2025.

Seanca e sotme u mbyll rreth 22:00, pas debateve të shumta mes palëve mbi prioritetet që mbështet ku draft, teksa diskutimet do të vijojnë sërish sot. Po kështu opozita ka paralajmëruar pasdite protestë para Parlamentit.

Në nisje të punimeve të seancës së sotme, kryeministri Edi Rama paraqiti projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, ku dhe njoftoi se bonusi për pensionistët me pension deri në 20 mijë lekë, do të trefishohet duke arritur në 150 euro, ndërsa për ata që kanë një pension mujor mbi 20 mijë lekë, do të dyfishohet duke shkuar në masën 100 euro.

Rama njëkohësisht njoftoi çeljen e një fondi pranë Bankës së Shqipërisë që do të përdoret për bonusin e pranverës së pensionistëve.
“Falë rritjes së qëndrueshme të ekonomisë, krijojmë një fond pranë Bankës së Shqipërisë qysh në dhjetor për një bonus të dytë për pensionistët, Bonusi i Ri i Pranverës”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi se projektbuxheti për vitin 2025 materializon plotësisht objektivat kryesore të politikës fiskale, përmes një balance primare pozitive, reduktimit të borxhit publik, duke targetuar për vitin 2025 një nivel të borxhit prej 55.8% të PBB dhe një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, duke realizuar një balancë korrente pozitive prej 3.6% të PBB-së.

“Sipas skenarit tonë bazë të programimit makrofiskal për vitin 2025, parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.9%”, deklaroi ministri Malaj.

Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike ngriti pikëpyetje nëse pas 12 buxheteve socialiste janë apo jo më mirë qytetarët shqiptarë.

Sipas saj, edhe pse flitet për rritje ekonomike, të vetmit që nuk e ndiejnë janë shqiptarët.

“A e ndiejnë shqiptarët këtë rritje ekonomike? A përkthehet në ekonomi në sektorët që luajnë rol më të rëndësishëm? Përgjigjja është jo. Shqipëria ka sot një prodhim të brendshëm bruto siç u tha 2.5 trilionë lekë, 25 miliardë euro dhe kontributi i sektorëve të ekonomisë në këtë rritje është vetëm nga një, ai i ndërtimit. Sektori i bujqësisë është 18% e PBB-së, nga viti 2021 është me rënie. Industria është po ashtu në rënie, 12.4%”, u shpreh Tabaku gjatë diskutimit të projektbuxhetit në Kuvend.

Tabaku tha se në buxhet nuk ka asnjë moment ku parashikohet të ulet tatimi i punës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb