Deputetja Flutura Açka në emisionin “Opinion” në News24 duke folur për projekt-buxhetin e 2025, tha se janë rrëzuar rreth 30 amendamente të opozitës të propozuara.

Açka tha se politika shqiptare i shikon gjërat bardh e zi, ndaj edhe rrëzohen amendamentet e propozuara nga opozita.

“Propozuam amendamente për ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit, që janë rrëzuar”, tha Açka, duke u shprehur se asnjë nga amendamentet nuk shqyrtohet, ndërsa cilësohen si populizma.

Ajo tha se për arsimin kemi një buxhet prej 3.3 %, ndërsa u premtua 5 % të GDPgjatë diskutimeve në Komision, por tashmë e kemi më pak se Kosova.

“Kërkuam të paktën rritjen e fondeve për fëmijët me 30%, vëmendja duhej të ishte më e propozuar te fasha për të rinjtë”, theksoi Açka.

Në vijim ajo u shpreh se ne duhet të çojmë Teatrot te fëmijët dhe jo të degdisim fëmijët të gjejnë teatrot. “Nëse ka një shtresë që është margjinalizuar nga politika e keqe janë vetëm fëmijët. Çfarë kanë tjetër mënyrë për t’u argëtuar fëmijët përveç telefonit? S’kanë asnjë mënyrë, TikTok-un kanë. Fëmijëve iu vodhën edhe oborret, edhe fushat e sportit”, tha Açka.

Ajo u shpreh se përse duhen ndërtuar pallate në çdo vend, pse nuk ndërtohen palestra publike. “Pse nuk i mësohet fëmijëve noti në shkolla, kemi 500 km bregdet”, tha Açka, ndërsa shtoi se fëmijëve po i vjedhin edhe këndet e lojrave dhe ato sportive.

Deputetja tha se projekt-buxheti kërkon kohë, nuk mund të kalohen gjërat me nxitim. “Mazhoranca në rastin më të mirë i shikon amendamentet e opozitës me shkujdesje. U duk sikur dita e sotme iu kushtua opozitës vetëm si qokë, duket si një pakt me teorinë ‘lere të kalojë edhe kjo gjë’”, tha Açka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: