Tre vjet pas ndërhyrjeve të kushtueshme në rrugën e plazhit të Durrësit, banorët dhe ekspertët ankohen për problemet e shtuara të lëvizjes dhe trafikut, ndërkohë që ndajnë qëndrime të kundërta për dobishmërinë e projekteve.

Rruga “Pavarësia” që çan përmes plazhin e Durrësit nis nga Ura e Dajlanit dhe përfundon në vendin e quajtur Plepa, në një gjatësi prej vetëm 4.3 kilometrash. Megjithatë, ajo iu nënshtrua një projekti të gjerë rikualifikimi përmes pesë tenderave në vitin 2016, duke ofruar tre pamje të ndryshme dhe opinione të kundërta mes banorëve dhe turistëve për dobishmërinë e projektit.

“Kam ardhur nga Durrësi me biçikletë që kur isha fëmijë, por tani e kam thuajse të pamundur të lëviz drejt plazhit,” thotë për BIRN Durim Çela, 59 vjeç. Për Çelën, korsitë e dedikuara për biçikleta në të dy anët e rrugës kanë pamjen e një kanali 1,5 metër, ku duhet të mbash ekuilibrin dhe t’u hapësh rrugën atyre që vijnë përballë.

“Edhe kur kalon poshtë urës së Dajlanit duhet ta marrësh biçikletën për dore, nga rruga e re pranë portit deri në fillimin e rrugës “Pavarësia”,” vijon të ankohet durrsaku i pasionuar pas dyrrotakut.

Rruga “Pavarësia” ndjek të njëjtën gjurmë me fillimin e rrugës Durrës – Kavajë, e ndërtuar thuajse një shekull më parë; atëherë kur ranishtja e plazhit kishte pamjen e dunave mbushur me gjineshtra. Rruga e asfaltuar mbeti e tillë edhe në vitet 1970, kur plazhi i Durrësit filloi të frekuentohej masivisht, veçanërisht nga të rinjtë dhe familjarët e shumtë të Tiranës, ndërsa në krahun e detit u ndërtuan qindra kabina prej druri e madje edhe çadra ushtarake, të cilat u adoptuan për pushuesit.

Në vitin 2004, qeveria shqiptare akordoi 10 milionë euro për rindërtimin e saj dhe rruga e Plazhit mori përmasat që ka sot. Në vitin 2016, Bashkia e Durrësit e ndryshoi funksionin dhe pamjen e saj përmes pesë tenderave të financuar nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, ndërhyrje të cilat kushtuan në total 686.6 milionë lekë [5.5 milionë euro].

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se rikualifikimi i hapësirave në të dy anët e rrugës “Pavarësia” u realizua përmes dy loteve dhe kushtoi rreth 2.6 milionë euro.  Ndërsa realizimi i korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit u prokurua më vete me kosto prej 1.6 milionë eurosh. Dy tenderat e tjerë, rikonstruksioni i mbikalimeve dhe i nënkalimit dhe rotondës te Ura e Dajlanit kushtuan respektivisht rreth 649 mijë dhe 575 mijë euro.

Megjithatë, ekspertë dhe banorë të zonës i konsideruan ndërhyrjet të panevojshme, përsa kohë që nuk kanë zgjidhur problemin e trafikut dhe atë të parkimit në zonën e plazhit.

Inxhinieri i ndërtimit, Agim Koçi thotë se ndërhyrjet në rrugën “Pavarësia” nuk kanë zgjidhur problemin e trafikut  dhe të lëvizjes së kalimtarëve drejt detit, duke e mbajtur problematike, njësoj si para ndërhyrjeve çështjen e qarkullimit të automjeteve.

“Mjafton të ndërtoheshin mbikalime apo nënkalime për këmbësorët, duke ruajtur të njëjtët parametra trafiku për automjetet,” tha inxhinier Koçi. “Vendparkimet në krah të rrugës nuk e kanë zgjidhur mungesën e hapësirave për veturat, furgonët dhe autobuzët. Ato vetëm e kanë vështirësuar lëvizjen e mjeteve, dhe po ashtu edhe atë të kalimtarëve,” shtoi ai.

Në njërin prej prezantimeve të vitit 2016, Bashkia e Durrësit deklaroi se një ndër qëllimet e projektit ishte moderimi i trafikut si dhe rritja e sigurisë përmes vendosjes së gungave që pengojnë shpejtësinë. Korsia e biçikletave në rrugën “Pavarësia”, ku banorët ankohen se me zor mbajnë ekuilibrin. Ky aspekt i projektit konsiderohet pozitiv nga Vasil Molla, pronar i një restoranti në hyrje të plazhit, i cili ankohet megjithatë për trafikun në sezonin e verës.

“Në fakt, gungat në rrugë kanë ndikuar në uljen e shpejtësisë dhe numri i aksidenteve me rrezik jete është reduktuar fare,” tha Molla.

“Por rruga ngushtohet, qarkullimi shpeshherë bllokohet për shkak të hyrje-daljes së makinave nga parkimet anash rrugës, por edhe për t’u lënë hapësira kalimi pushuesve, që nuk kanë mundësi të tjera për të dalë në plazh,” shtoi ai.

Gaetano Castello, një sipërmarrës italian që banon jo shumë larg zonës së plazhit e sheh me pozitivitet projektin, ndërsa vlerëson edhe ndriçimin e rrugës. Megjithatë, Castello i tha BIRN se e frekuenton shumë pak këtë pjesë të Durrësit.

“Rruga është ngushtuar duke i lënë hapësirë krijimit të një zone pedonale ku në mbrëmje pushuesit shëtisin apo frekuentojnë dyqanet e suvenireve apo klubet në të dy krahët e rrugës,” tha Castello.

Megjithëse bashkia ka vendosur që në rrugën “Pavarësia” të drejtën e qarkullimit e kanë vetëm autoveturat, mjetet e shërbimit shëndetësor, zjarrfikëset si dhe autobuzët e linjës urbane, kaosi gjatë stinës së verës është i pashmangshëm.

Ata që shkojnë drejt qyteteve të jugut nuk e përdorin më rrugën e plazhit, por kalojnë nga rruga e re e Unazës, ndërsa qytetarët që kanë zgjedhur të banojnë në pallatet e zonës së plazhit detyrohen të përdorin rrugën paralele që u ndërtua 4 vjet më parë.

Bashkia e Durrësit tashmë i ka përfunduar të gjitha ndërhyrjet në jug të qytetit, aty ku brenda 20 vitesh u krijua një nga lagjet më të populluara në shkallë vendi. Duke iu referuar një komunikate të saj në prill të vitit 2016, “për herë të parë tre institucione u koordinuan plotësisht pa dëmtuar investimet e njëra tjetrës”. “

Përveç rikualifikimit të rrugës “Pavarësia”, Bashkia i referohej projektit të Bankës Botërore për sistemimin e ujërave të zeza si dhe projektit të qeverisë shqiptare për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës së plazhit. Por për banorët dhe frekuentuesit e zonës, jo të gjitha problemet janë zgjidhur. “Shqetësimi i kahershëm i banorëve dhe turistëve për ujin dhe kanalizimet ka gjetur zgjidhje, por vështirësitë e qarkullimit të mjeteve dhe kalimtarëve në rrugën “Pavarësia” do të vijojë shumë më gjatë,” përfundoi Vasil Molla për BIRN/ BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: