Prej shumë kohësh, bashkëpunimi rajonal mes të rinjve dhe shkëmbimi i ideve e eksperiencave janë ndër objektivat kryesorë të universitetit “Luarasi”. Në kuadër të këtij bashkëveprimi, studentë të Fakultetit Ekonomik dhe një pjesë e stafit akademik kanë vizituar ambientet e Western Balkans Fund. Gjatë takimit, u mirëprit ideja e bashkëpunimit mes këtij institucioni dhe Luarasit.

Brenda muajit tetor, do të hapet thirrja për aplikime e studentët do të kenë mundësinë të dërgojnë pranë Western Balkans Fund, projekt-idetë e tyre. Drejtori ekzekutiv i Fondit, Gjergj Murra iu tha studentëve se duhet të realizojnë një projekt të përbashkët me dy partnerë të tjerë nga rajoni.

“Në momentin që universiteti Luarasi do të aplikojë, duhet të gjeni dy partnerë të tjerë nga rajoni, për të sjellë së bashku idenë. Duke implementuar projektin së bashku, ne e njohim më mirë njëri- tjetrin. Partnerët që mund të bashkëpunoni duhet të jenë nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Ne nuk jemi të interesuar të mbështesim projekte nga institucione publike por mbështesim individë të thjeshtë nga institucione që lidhen me edukimin apo kulturën siç janë universitetet. Kjo është dhe filozofia e fondit tonë”, tha Gjergj Murra, Drejtori ekzekutiv i Fondit.

Kryetari i Bordit të Administrimit në “Luarasi”, Dashnor Dervishi e vlerësoi Fondin e Ballkanit Perëndimor si një bankë solidariteti dhe shprehu gatishmërinë e universitetit për të zgjeruar më tej bashkëpunimin.

“Kjo është tamam banka e rinisë. Nuk është bankë klasike, standarde si gjithë bankat e tjera fitimprurëse, por është një bankë solidariteti që ndihmon jo vetëm zhvillimin ekonomik të rajonit tonë, por në mënyrë të veçantë ndihmon në bashkëpunimin e kulturës, traditës dhe miqësisë së bashkëekzistencës në rajon mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”,-u shpreh Dervishi.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Mateo Spaho tha se do të punohet për projekt ide të realizueshme dhe që mund të përballohen financiarisht nga Fondi.
“Studentët e ‘Luarasit’ janë të ftuar që projekt idetë që kanë t’i vendosin në letër, pra t’i zbatojnë me ndihmën tonë si staf akademik, dhe këto projekt ide t’i bëjnë në një projekt real, të zbatueshme. Se mund të kesh ide të mirë, por kur vjen puna për ta zbatuar, për t’ua treguar të tjerëve që duhet të financojnë, fillojnë problematika”, i tha Spaho studentëve.

Edukimi, rinia, kultura, kërkimi shkencor dhe zhvillimi ekonomik janë pesë fusha kryesore ku bazohet veprimtaria e Western Balkans Fund. Gjatë takimit studentët e Luarasit morën udhëzimet e duhura për t’u bërë kandidatë të mundshëm të projekteve në të ardhmen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb