Këshilli i Ministrave ka miratuar një fond shtese prej 150 milionë lekë nw mbwshtetje tw partive politike në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas vendimit, efekti financiar i parashikuar do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
Vendimi:
Vendim për një shtesë fondi në programin “mbështetje për partitë politike”, për financimin e fushatës zgjedhore të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhjet për kuvend të datës 11 maj 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 88, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Për financimin e fushatës zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025, në programin “Mbështetje për partitë politike” shtohet fondi prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, i cili u shpërndahet subjekteve zgjedhore, pjesëmarrëse në këto zgjedhje, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Efekti financiar, i parashikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, miratuar për vitin 2025.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”
VENDIME Të TJERA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 114, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në vendimin nr.440, datë 19.7.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e skemës së kreditimit studentor”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
- a) Në pikën 3, fjalët “… brenda muajit janar …” zëvendësohen me “… përpara fillimit të vitit akademik …”.
- b) Shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 3, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“c) financimi i kredisë bëhet me këste, të paktën dy herë në vit. Financimi i këstit të parë për çdo vit akademik duhet të realizohet pas konfirmimit nga institucioni i arsimit të lartë, që studenti kredimarrës ka frekuentuar procesin mësimor. Financimi i kësteve pasardhëse realizohet pas konfirmimit nga institucioni i arsimit të lartë, që studenti kredimarrës ka shlyer tarifën vjetore të shkollimit të atij viti akademik dhe ka frekuentuar procesin mësimor;
ç) shlyerja e detyrimeve financiare nga studenti kredimarrës fillon jo më herët se kohëzgjatja normale e programit të studimit, për të cilin studenti ka nënshkruar kontratën e kredisë, por me kërkesë të studentit kredimarrës, shlyerja e detyrimeve financiare mund të realizohet dhe para përfundimit të kohëzgjatjes normale të studimeve.”.
- c) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Studenti, i cili është subjekt i përfitimeve prej akteve të tjera ligjore apo nënligjore që mbështesin studentin me bursa, mbështetje financiare apo përjashtim nga tarifat vjetore të shkollimit, dhe studenti, që ndjek një program të dytë studimi, nuk ka të drejtë të aplikojë për kredi studentore.
Studenti ka të drejtë të aplikojë për kredi studentore pranë Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga fillimi i vitit akademik, duke bashkëlidhur dokumentacionin që vërteton regjistrimin si student në institucionin përkatës të arsimit të lartë.”.
ç) Paragrafi i parë i pikës 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë shqyrton kërkesat e studentëve për kredi studentore, sipas afatit të përcaktuar me vendim të Bordit Drejtues në bazë të kritereve, si më poshtë vijon: …”.
- d) Në pikën 8, fjalët “… brenda afatit të përcaktuar në pikën e mësipërme …” zëvendësohen me “… sipas afatit të përcaktuar me vendim të Bordit Drejtues …”.
- dh) Në pikën 9, fjalët “… brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve …” zëvendësohen me “… brenda 10 (dhjetë) ditëve …”.
- e) Në pikën 11, fjalët “… brenda muajit maj …” zëvendësohen me “… sipas afatit të përcaktuar me vendim të Bordit Drejtues …”.
ë) Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“13. Mbulimi i shpenzimeve të interesave të kredive studentore realizohet nga fonde buxhetore grant të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, për të financuar normën e interesit të kredive studentore në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet bankës/bankave të nivelit të dytë dhe AKFAL-it, me vendim të Bordit Drejtues, miraton shumën e fondeve grant që akordohen nga ministria përgjegjëse për arsimin.
Shuma e fondeve vjetore për mbulimin e shpenzimeve të interesave të kredive studentore përllogaritet deri në masën 0.5% (zero pikë pesë) të shumës vjetore të grantit të mësimdhënies.”.
- Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, të ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në vendimin nr.135, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave të kërkesës, të rregullave të kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme për fitimin e shtetësisë shqiptare kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës dhe sportit”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
- Në kreun II bëhen ndryshimet e mëposhtme:
- a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ka mbushur moshën 18 vjeç dhe ka zotësi për të vepruar ose në rast se nuk ka mbushur këtë moshë, shtetësia shqiptare mund të fitohet vetëm me pëlqimin e të dy prindërve ose kujdestarit ligjor, si dhe të fëmijës që ka moshën 14-18 vjeç.”.
- b) Pika 2 shfuqizohet.
- Në kreun IV bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
- a) Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) kërkesë individuale për fitimin e shtetësisë shqiptare drejtuar AHPVSH-së, sipas formatit të përcaktuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, sipas rasteve të mëposhtme:
- Kur kërkuesi është mbi 18 vjeç, kërkesa nënshkruhet personalisht nga kërkuesi.
- Kur kërkuesi është 14-18 vjeç, kërkesa bëhet nga kërkuesi dhe krahas saj depozitohet deklaratё noteriale ose dokumenti i barasvlefshёm ku shprehet pëlqimi i të dy prindërve ose kujdestarit ligjor.
iii. Kur kërkuesi është nën 14 vjeç, kërkesa nënshkruhet nga të dy prindërit ose kujdestari ligjor.”.
- b) Në shkronjën “f”, të pikës 1, pas fjalëve “… nga personalitete të fushës …” shtohen “… ose rekomandim nga titullari i institucionit arsimor apo shkencor …”.
- c) Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Ministria përgjegjëse për vlerësimin e kontributit të shtetasit të huaj miraton rregulla të hollësishme lidhur me përcaktimin e kritereve spcifike shtesë dhe procedurave të brendshme të trajtimit të kërkesave, që ndihmojnë në evidentimin e kontributit me interes kombëtar për shtetin shqiptar, për të cilin mund të fitohet shtetësia shqiptare.”.
- Në shkronjën “c”, të pikës 3, të kreut V, togfjalëshi “… 7 (shtatë) ditëve …” zëvendësohet me “… 10 (dhjetë) ditëve …”.
- Në aneksin 1, në ndarjen “Informacion i përgjithshëm”, në nënndarjen që parashikon se kur pranohet formulari, pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Është plotësuar nga vetë kërkuesi kur ai është mbi 14 vjeç ose nga prindërit ose kujdestari ligjor për kërkuesin, kur ai është nën këtë moshë.”.
- Ngarkohen ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, ministri përgjegjës për arsimin dhe sportin, ministri përgjegjës për kulturën dhe Agjencia për Hartimin e Programeve të Veçanta të Shtetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të Traktatit të Riadit për Disenjot, bërë në Riad më 22.11.2024, dhe të rregulloreve të këtij traktati, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 12, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në vendimin nr.298, datë 20.4.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
- Në kreun I bëhen shtesat e mëposhtme:
- a) Pas pikës 8.5 shtohen pikat 8.5/1 dhe 8.5/2, me këtë përmbajtje:
“8.5/1. “Harton, në bashkëpunim me institucionet qendrore, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe grupet e interesit në fushën e turizmit, kalendarin turistik të aktiviteteve zbavitëse, duke i orientuar ato për shtrirjet gjeografike si dhe për tematikën e eventeve të preferuara për turistët në këto zona dhe duke koordinuar njëkohësisht edhe realizimin e këtij kalendari.
8.5/2. Orienton, koordinon dhe promovon kalendarin turistik si dhe monitoron ndjekshmërinë nga publiku të aktiviteteve të këtij kalendari.”.
- b) Pas pikës 8.6 shtohen pikat 8.6/1 dhe 8.6/2, me këtë përmbajtje:
“8.6/1. Financon nga fondi buxhetor i miratuar për çdo vit realizimin e projekteve të cilat kanë karakter krijues e me objekt të veprimtarisë së tyre turizmin si dhe ngjarje që janë të përfshira në kalendarin turistik, pas miratimit të ministrit.
8.6/2. Monitoron zbatimin dhe realizimin e projekteve me karakter krijues të cilat kanë për qëllim promovimin e turizmit, si dhe të ngjarjeve që janë të përfshira në kalendarin turistik, të financuara nga fondi buxhetor i miratuar.”.
- c) Pas pikës 8.12 shtohet pika 8.12/1, me këtë përmbajtje:
“8.12/1. Krijon të ardhura dytësore nga pagesat e subjekteve të cilave u ofrohet shërbimi i promovimit të aktiviteteve të tyre në hapësirat e menaxhuara nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.”.
- Në pikën 2, të kreut IV, emërtesa “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.
- Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936/2016, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në buxhetin e miratuar për vitin 2025, për përballimin e shpenzimeve të organizimit të Takimit të Nivelit të Lartë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që do të organizohet në Tiranë, në datën 16 maj 2025, bëhet shtesë fondi, si më poshtë vijon:
- a) Ministrisë së Brendshme, fondi prej 92 828 000 (nëntëdhjetë e dy milionë e tetëqind e njëzet e tetë mijë) lekësh, i ndarë:
- Për programin “Policia e Shtetit”, në zërin “Shpenzime korrente”, fondi prej 44 168 000 (dyzet e katër milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekësh;
- Për programin “Garda e Republikës”, në zërin “Shpenzime kapitale”, fondi prej 48 660 000 (dyzet e tetë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekësh.
- b) Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, fondi prej 360 045 000 (treqind e gjashtëdhjetë milionë e dyzet e pesë mijë) lekësh.
- Efekti financiar, prej 452 873 000 (katërqind e pesëdhjetë e dy milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e tre mijë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2025.
- Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 88, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Për financimin e fushatës zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025, në programin “Mbështetje për partitë politike” shtohet fondi prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, i cili u shpërndahet subjekteve zgjedhore, pjesëmarrëse në këto zgjedhje, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
- Efekti financiar, i parashikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, miratuar për vitin 2025.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Miratimin, në parim, të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I-Shqipëri”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Miratimin, në parim, të Deklaratës së Nderit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I-Shqipëri”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, dhe 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të pronës me emërtimin “Spitali Psikiatrik Elbasan”, sipas formularit, 2 (dy) fletë, dhe planrilevimit, 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
- Prona e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi i shtohet listës së inventarit të pronave, bashkëlidhur vendimit nr.717, datë 1.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, të ndryshuar.
- Paragrafi i dytë, i pikës 1, të vendimit nr.717, datë 1.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Lista përbëhet, gjithsej, nga 22 (njëzet e dy) fletë formulari, 22 (njëzet e dy) planrilevime, 2 (dy) planimetri dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.”.
- Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar, bërë në Nju Jork, më 19 qershor 2023, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.