NGA:VJOLLCA KONGJONI*TIRANE- Praktikat burokratike dhe shpesh herë të paqarta për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar kanë bërë që shumë biznese të mos arrijnë të marrin vlerën e kompensimit. Për t’u ardhur në ndihmë këtyre bizneseve dy deputetët e maxhorancës Erjon Brace dhe Ervin Koci i kanë propozuar Kuvendit disa ndryshime në ligjin për rimbursimin e TVSH-së dhe për procedurat tatimore.

Sipas këtij drafti kërkohet që ato biznese që nuk janë rimbursuar për TVSH-në të përjashtohen nga detyrimet e tjera tatimore. Projektligj i ri synon, afate strikte dhe një drejtori të posaçme në tatime që të merret me rimbursimin, një sugjerim ky i ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Të gjitha bizneset që ende nuk i’u është rimbursuar TVSh-ja nga drejtoria e përgjithshme e Tatimeve, duhet të përjashtohen nga detyrimet e tjera tatimore, në formë kompensimi. Është ky propozimi për projektligjin e ri i bërë nga kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë Erjon Brace dhe deputeti socialist Ervin Koçi, tashmë i depozituar pranë Kuvendit.

Propozimi i dy deputetëve të maxhorancës është mbështetur nga sugjerimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili parashikon ndryshim të procesit të rimbursimit të TVSH në kuadër të modernizimit të vjeljes dhe administrimit të të ardhurave tatimore. Bëhet fjalë për disa ndryshime në ligjin e vitit 2014 “Për TVSH” i ndryshuar dhe ligjin e vitit 2008 “Për Procedurat tatimore” i ndryshuar.

Ky ndryshim konsiston në krijimin e një njësie qendrore për rimbursimet pranë DPT-së, që do të vendosë se si do të trajtohet çdo kërkesë për rimbursim. Qasja e ndjekur do të mbështetet në kritere objektive që e lidhin procesin e rimbursimit me modelin e riskut.

Sipas këtij projektligji të ri, rimbursimi i TVSH-së dhe kompensimi i detyrimeve tatimore do të funksionojë sipas kësaj skeme. Nëse personat e tatueshëm që janë të regjistruar për TVSH rezultojnë me tepricë kreditore dhe paraqesin pranë tatimeve kërkesën për rimbursimin e TVSH-së të paguar më tepër, brenda 60 ditëve drejtoria e rimbursimit të tvsh-së në bashkëpunim me drejtorinë rajonale të tatimeve duhet të verifikojnë të dhënat tatimore të subjekteve.

Pas këtyre kontrolleve miratohet teprica kreditore e rimbursueshme dhe më tej në bazë të rregullave të përcaktuara nga Ministria e Financave, brenda pesë ditëve kryhet pagesa e tepricës kreditore të rimbursueshme, nëpërmjet sistemit të thesarit.
Në rast të kundërt, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.

Ky është modeli që ka rekomanduar FMN-ja të përdoret në DPT nëpërmjet sistemit të ri që po kërkohet të vihet në zbatim duke sjellë edhe disa avantazhe që lidhen me thjeshtimin e procedurave, shmangien e atyre të panevojshme, përmirësimin e klimës së biznesit si dhe vetë administrimit tatimor. Projektligji fillimisht do të shqyrtohet në komisionet parlamentare e më tej do të shkojë për miratim në Parlament.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: