NGA VJOLLCA KONGJONI*
TIRANË- Sikurse ishte paralajmëruar edhe dy vite më parë nga ministria e Transporteve dhe ajo e Brendshme, linjat e transportit 8+1 apo furgonat taksi nuk do të lejohen më të kryejnë funksionin në rrugët ndërqytetëse. Por këto mjete do të funksionojnë sipas ndarjes së re territoriale që lidhet me transportin rrethqytetas. Në projektligjin e ri të çuar në Kuvend nga qeveria për rregullimin e transportit rrugor, thuhet se përdorimi i furgonave do të lejohet vetëm mes njësive administrative me bashkitë përkatëse ose të fshatrave më këto njësi administrative si dhe fshatrat me njëri-tjetrin.
Me ligjin e ri do të jetë këshilli i njësisë së qeverisjes vendore ose i qarkut ai që do të japë licencat për autoveturat 8+1 dhe do të vendosë për tarifat e biletave të udhëtarëve me këto mjete. Rrjeti i linjave rrethqytetase do të miratohet çdo tre vjet dhe sipas ligjit nuk duhet të cenojë rrjetin e linjave qytetase dhe ndërqytetase. Ndërsa rrjeti i linjave ndërqytetase (kryesore dhe ushqyese),  do të kryhet vetëm me autobusë nga shoqëri transporti me licencë, të parashikuara në rrjetin e linjave të miratuara nga ministri i Transporteve. Do të jetë ky dikaster që do të përcaktojë edhe stacionet e qëndrimit dhe oraret për secilën linjë çdo tre vjet. Linjat kryesore lidhin bashkitë ndërmjet qarqeve të ndryshme dhe linjat ushqyese lidhin bashkitë brenda të njëjtit qark.
Me projektligjin e ri për Transportin Rrugor të ndryshuar, për herë të parë parashikohet udhëtimi me biletë elektronike. Kjo lloj bilete do të blihet kudo për tu krijuar kështu lehtësira qytetarëve për tu pajisur në çdo rast për të gjitha llojet e linjave dhe gjatësinë e udhëtimit që kryhen. Nga ana tjetër përmes këtij projektligji synohet edhe krijimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar të Transportit Rrugor, por edhe sistemet inteligjente të transportit rrugor dhe lidhjes me mënyrat e tjera të transportit. Përafrimi i kësaj direktive kërkon kohë shtrirje më të gjatë dhe do të përafrohet me udhëzim të ministrit.
Gjithashtu parashikohet edhe mënyra se si do të funksionojnë terminale. Në projektligj thuhet se “Autorizimi për funksionimin e terminalit të autobusëve lëshohet nga kryetari i bashkisë, ndërsa vendi se ku do të ndërtohet terminali i autobusëve do të caktohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb