TIRANE- Komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore miratoi dje në parim projektligjin “Për prokurimin publik”. I pranishëm gjatë diskutimeve, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi theksoi se kjo nismë vjen për të përsosur sa më shumë procedura e prokurimit publik. “Amendimet vijnë me qëllimin që të kemi një sistem të përgjegjshëm, efektiv dhe transparent në mirëfunksionimin e fondeve publike. Të bëjmë një përafrim të mëtejshëm të legjislacionit të prokurimit publik me aktin në fuqi të prokurimit publik dhe për këtë qëllim, projektligji është shoqëruar me tabelat e përputhshmërisë me direktivën 2004.18 të Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian dhe të miratuar edhe në Këshillin në 31 mars të 2008. Projektligji ka për qëllim rritjen e mëtejshme të efiçensës, efikasitetit në procedurat e prokurimit publik, dhe nxitjen e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomik vendas dhe të huaj në procedurat e prokurimit publik”, – tha ndër të tjera Çuçi. Më pas deputetët votuan pro projektligjit në parim, duke e shtyrë shqyrtimin nen për
nen në seancën e radhës të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Në pikën e dytë të rendit të ditës u miratua në tërësi projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9780, datë 16.7.2007 “Për Inspektimin e ndërtimit”, të ndryshuar” duke e kaluar për votim në seancë plenare.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb