TIRANE

Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara, kandidat për në SPAK, doli këtë të mërkurë në seancë dëgjimore publike para KPK, në kuadër të procesit të vettingut. Në raportin e Komisionit, thuhej se subjekti justifikon me burime të ligjshme pasurinë e tij, por vëzhguesi ndërkombëtar Teo Jakobs ngriti dyshime për përdorimin nga ana e prokurorit të një makine të paregjistruar në Shqipëri.

Ju keni përdorur për gati dy vjet një mjet të ardhur nga Anglia, por pa e regjistruar atë. Ndërkohë që mjeti ishte crregjistruar në Mbretërinë e Bashkuar. A i shkon kjo një prokurori? – e pyeti Jakobs prokurorin Mara.

Ku i fundit sqaroi se automjeti ka hyrë në rrugë tokësore në Shqipëri dhe ka patur prokurë nga kushëriri për përdorimin e saj.

“Unë doja ta regjistroja, por nuk bëhej e mundur, e për këtë arsye nuk mund të udhëtoja me të. Kisha dy rrugë, ose ta ktheja, cka më kushtonte shumë shtrenjt, ose t’i ndërrojë anën e timonit. E përdora për një kohë të shkurtër automjetin në fjalë, pa patur qëllim për asnjë moment t’i shmangem ligjit apo taksave”, shpjegoi subjekti,.

Vladimir Mara një prej dy prokurorëve të cështjes së bujshme 339 dhe dosjes Tahiri, dha shpjegime edhe lidhur me ekstradimin e paligjshëm të Nezar Seitit, i konsideruar si financier i grupit kriminal Habilaj.

Seiti u ekstradua në Itali, pavarësisht se po hetohej nga prokuroria për Krime të Rënda dhe ndaj tij ishte caktuar nga gjykata një masë sigurie “arrest me burg”.

Mara u shfajësua për këtë cështje, kur tha se masa e arrestit i ishte vënë në dispozicion drejtorisë së burgut ku mbahej personi nën hetim.

Në shtyllën e dytë të vettingut, atë të figurës morale, prokurori rezultoi pa probleme, pasi në raportin e drejtorisë së informacionit të sigurimit të klasifikuar konstatohej përshtatshmëria e tij për të vijuar detyrën. Vendimi për të pritet të shpallet me 14 qershor. Në të njëjtën ditë, shkalla e parë e vettingut do të shpallë vendimin edhe për prokurorin Shkëlzen Cena, i cili vendosi të hiqte dorë nga gara për prokurorinë e posacme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb