BEOGRAD- Prokurori serb i krimeve të luftës Vladimir Vukçeviç ka thënë se zyra e tij po përballet me një fushatë të organizuar nga ana e kriminelëve të luftës dhe nacionalistët.


Në një intervistë për “Associated Press” Vukçeviç tha se kjo përfshin akuzat për spiunazh që Shtetet e Bashkuara ngritën edhe ndaj disa zyrtarëve.


AP raporton se fushata kundër zyrës erdhi pasi ajo kohët e fundit vendosi të hapte disa raste të ndjeshme nga luftërat e kaluara të vendit ballkanik.


Vukcevic citohet të ketë thënë se “stafi i tij dhe familjet e tyre kanë marrë kërcënime me vdekje dhe u përballën me sulme në media nacionaliste që kanë përkuar me punën tonë në rreth katër raste”.

Raporti i AP vuri në dukje se në fund të dhjetorit, “dy ligjvënësit e koalicionit në pushtet ngritën akuza për spiunazh kundër prokurorëve për gjoja zbulimin e informacioneve të ndjeshme në lidhje me rastet e tyre tek zyrtarët e ambasadës amerikane.

“Ne kemi ngacmuar një fole grerëzash”, tha Vukçeviç.

 

(m.k/BalkanWeb)