TIRANË – Provohet fajësia e plotë e tre të akuzuarve kryesorë për vjedhjen e 7 milionë dollarëve nga Banka e Shtetit. Sot, Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka përfunduar hetimet dhe tashmë dërgon për gjykim Ardian Bitrajn, Mimoza Bruzian dhe Klevis Bejtajn, të tre të akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes së bankave”.

Nga hetimi ka rezultuar se të tre ata janë përgjegjës për vjedhjen e një sasie shumë të madhe parash në Bankën e Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë, “Ardian Bitraj, ish-përgjegjës sektori në Bankën e Shqipërisë, konsiderohet personi përgjegjës për vjedhjen e mbi 7 milion dollarëve nga ky institucion. Nga hetimi është provuar se pjesa më e madhe e parave të vjedhura në Bankën e Shqiperisë janë shpenzuar nga i pandehuri Ardian Bitraj në pikat e llotove të sportit të shpërndara në qytetin e Tiranës.

Këto pika janë identifikuar, krahas veprimeve të tjera hetimore, edhe nëpërmjet qelizave të tabulateve telefonike të të pandehurit Ardian Bitraj gjatë periudhës që ishte i punësuar në Bankën e Shqipërisë.

Sipas informacionit të dërguar nga kompania përkatëse celulare, nëpërmjet të cilit lokalizohej vendndodhja e personit përdorues të numrit celular, Ardian Bitraj, pas largimit nga puna shpenzonte një sasi të gjatë kohe në pikat e lloto-sportit në qytetin e Tiranës.

Mimoza Bruzia, ish-përgjegjëse në Bankën e Shqipërisë, rezulton nga hetimi se ka qenë në dijeni të plotë të vjedhjes në vazhdimësi që kryente i pandehuri Bitraj, madje e ka lejuar që të kryente këtë vjedhje në sektorin që ajo kishte në ngarkim.

Klevis Bejtaj ka qenë në dijeni të plotë që i afërmi i tij, Bitraj, kryente vjedhjen e parave në Bankën e Shqipërisë. Është provuar se, i pandehuri Bejtaj, pasi telefonohej nga i pandehuri Bitraj, shkonte me makinën e tij në objektin ku punonte Bitraj dhe merrte qeset me para që i vidhte ky i fundit në Bankën e Shqipërisë,” – thuhet në përfundim të njoftimit të Prokurorisë së Tiranës.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb