VLORE

Prokuroria dhe Policia e Vlorës kanë reaguar mbi lajmin në Top Channel dhe Partinë Demokratike sipas të cilëve  në vitet e fundit janë rreth 80 persona të zhdukur.

Në një deklaratë ditën e sotme, Prokuroria e Policia thonë se numri total i personave të larguar nga banesa është 23.

“Shumë prej këtyre personave janë larguar me dëshirë nga banesa, por dhe janë rikthyer,” konstaton policia.

“Nisur nga transmetimi në TV Top Channel i një reportazhi, ku flitet për rreth 80 persona të zhdukur në vitet e fundit, një numër i cituar edhe nga foltorja e PD-së ditën e djeshme, Prokuroria dhe Policia e Vlorës sqarojnë opinionin publik se:

Në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të larguar nga banesa është 23.

• në 2016 – 4 shtetas të larguar
• në 2017 – 6 shtetas të larguar
• ne 2018 – 13 shtetas të larguar

Shumë prej këtyre personave janë larguar me dëshirë nga banesa, por dhe janë rikthyer.

Megjithëse të gjitha rastet janë referuar në Prokurori, vetëm për 4 raste në 3 vitet e fundit janë konstatuar elementë të veprës penale dhe janë regjistruar në Prokurori si çështje, e ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre.

Gjithashtu, përsa i përket veprave penale kundër personit, bëjmë me dije se në krahasim me 1 vit më parë ka ulje të ndjeshme, konkretisht:

Nga 12 vrasje të evidentuara në vitin 2017, numri i tyre ka rënë me 50%, ose në 6 vrasje në 2018.

Nga 10 vrasje të mbetura në tentativë në 2017, është ulur me 50% numri në 2018, pra janë 5 tentativa të evidentuara.

Të gjitha strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e agjenci të tjera ligj zbatuese, vijojnë punën intensive për goditjen e paligjshmërive me qëllim ruajten e parametrave të rendit dhe të sigurisë e në shërbim të qytetarëve,” shkruhet në njoftimin e policisë

Ndërkohë për emisionin Top Story ishte vetë prokurorja Flora Çela e cila u shpreh se numri i personave të raportuar, të zhdukur, të humbur, nga familjarët… nga viti 2015 deri tani, ka pasur një numër rreth 80 referimesh. Nga denoncimet e familjarëve organet ligjzbatuese kanë evidentuar vetëm katër raste për ekzistencën e veprave penale, atë të trafikimit të lëndëve narkotike dhe të rrëmbimit të personit.

“Dy raste janë aktualisht nën hetim, sepse dyshohet për element të një vepër penale, ndërsa në dy rastet e tjera në vitin 2016, 2017. Në një rast është dyshuar për element të veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike, pra që personi kishte lidhje me këtë pjesë. Ashtu dhe një rast tjetër të veprës penale rrëmbim personi që lidhej gjithashtu me element trafikimi”, – tha prokurorja.

“Tani përbën apo nuk përbën panik, është një pjesë që lidhet me sa raste janë referuar. Por në bazë të statistikave, ne dy raste kemi nën hetim”, tha prokurorja e Vlorës.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: