TIRANE- Hetimet në lidhje me lirimin e ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës. Kjo pasi prokuroria e Durrësit ka shpallur mos kompetencë. “BalkanWeb” mëson se hetimi bëhet kryesisht për ‘lirimin me kusht’ të Berishës.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar Lul Berisha doli nga burgu pasi Gjykata e Durrësit i dha masën e “lirimit me kusht”. Prokuroria e Durrës dyshon se Berisha u lirua nga ‘shpërdorimi i detyrës’ nga ana e gjyqtarëve që firmosën lirimin. “Shpërdorim detyre nga gjyqtarët e Durrësit që firmosën lirimin. Ndaj duhet të hetohet vendimmarrja e gjyqtarëve të Durrësit”, pohuan burime nga prokuroria e Durrësit. Fill pas kësaj aktet janë dërguar për hetim në Prokurorinë e Tiranës.

LIRIMI I LUL BERISHES
Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha fitoi lirinë me kusht më 6 dhjetor. Ndërkohë, po vijojnë hetimet lidhur me të tjerë persona të përfshirë në këtë çështje. Vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës për lirimin e Lulzim Berishës është bërë mollë sherri mes opozitës dhe maxhorancës, kjo edhe për shkak të publikimit të një letre të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako që kërkonte lirimin e tij me garancinë se do punësohej në Bashki.

Ndërkohë më 15 dhjetor, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për lirimin nga qelia të Lul Berishës. Prokuroria po heton për praktikat gjyqësore kryesisht për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” që liruan Lulzim Berishën, ndërsa shqyrton vendimet e dhëna nga Gjykatat në lidhje me uljen e dënimit, pasi sipas prokurorisë së Durrësit ka dyshime për veprime në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu do të hetohen dhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha. Për këtë cështje u arrestua edhe drejtori i Burgut të Durrësit, Astrit Kotaj si dhe juristi i këtij institucioni.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: