TIRANE- (Në përditësim) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur prej orës 12:00 seancën për shyqrtimin e kërkesës së prokurorisë për heqjen e mandatit për dy deputetët Gledion Rehovica i LSI dhe Aqif Rakipi i PDIU-së.

KQZ-ja kërkoi material shtesë nga Prokuroria për rastet e dy deputetëve Gledion Rehovicës dhe Aqif Rakipit, deri më datë 5 janar kur edhe do të mblidhen sërish.
KQZ

KQZ JEP DATËN: JA KUR VENDOSIM PËR FATIN E DY DEPUTETEVE
ORA 13:13- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar material shtesë nga Prokuroria për rastin e dy deputetëve, atij të LSI-së Gledion Rehovica dhe atij të PDIU-së, Aqif Rakipi. KQZ i ka vendosur edhe një afat organit të akuzës për të sjellë materiale shtesë deri në lidhje me ta. “Prokuroria ka kohë deri më 5 janar ditën e premte”, ranë dakord anëtarët e KQZ-së.

FLET DEPUTETI I LSI
ORA 12:40- I pyetur se pse ndodhej në Itali në vitin 1999 dhe ai ishte ai autor i vjedhjes në një dyqan atje, deputeti i LSI-së, Gledjon Rehovica u shpreh se nuk i kujtohej mirë ngjarja, pasi kishin kaluar 20 vjet. Por, u shpreh i bindur se s’ka qenë asnjëherë i ndaluar, arrestuar apo i gjykuar në Itali.

“Kam qenë student për shkenca politike në Itali në atë kohë. Nuk e kujtoj me detaje këtë histori se po bën gati 20 vjet, por s’kam asgjë për të fshehur. S’kam pasur në asnjë moment urdhër ndalimi, arrestim apo gjykim në Itali. S’kam ndërmend të fsheh asgjë”,- u shpreh deputeti i LSI në KQZ.

NIS SEANCA NE KQZ PER DY DEPUTETET
ORA 12:00- Nis seanca në KQZ për shqyrtimin e mandatit të deputetëve Rehovica e Rakipi. Deputeti i LSI, Gledion Rehovica është i pranishëm në seancë, deputeti i PDIU, Aqif Rakipi mungon. Ai përfaqësohet nga dy avokatët e tij.

KERKESA E PROKURORISE
Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar në ditët e fundit të 2017 ndërprerjen e mandatit për deputetin e PDIU-së dhe atë të LSI-së, të cilët sipas organit të akuzës rezultojnë se janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Sipas vendimit të prokurorisë, të dy deputetëve ju janë marrë shenjat e gishtave në shkurt dhe i janë dhënë Interpolit. Në datën 22 dhjetor Interpol Roma solli të dhëna për dy deputetët.

Për deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi, Interpol Roma thotë se është proceduar për vjedhje me emrin Skënder Ejylbegaj. Vjedhja në fjalë ka ndodhur në 03.11.1998, kohë kur deputeti ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë emigrant në Itali.

Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica sipas Interpol Romës, është proceduar për vjedhje dyqani me emrin Kusta Mina në 27.02.1999, kohë kur vetë deputeti ka deklaruar se jetonte në Itali si student.

Të dy deputetët nuk deklaruan ndalimet në formular dhe as përdorimin e emrave të tjerë, çka sipas ligjit të dekriminalizimit përbën arsye për ndërprerje të menjëhershme mandati.

KQZ do të mblidhet për të marrë në shqyrtim 5 vendime të prokurorisë, dy që kërkojnë heqje mandati për Rehovicën dhe Rakipin, dhe tre të tjera që arrijnë në konkluzionin se zyrtarët nuk preken nga dekriminalizimi. Përkatësisht, ish deputetët Omer Mamo e Mhill Fufi si dhe kryebashkiaku i Pogradecit, Eduard Kapri.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb