TIRANE –Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi dënimin me 4 vite burgim për gjykatësin e Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, i cili akuzohet për korrupsion. Dyshohet se Miri kundrejt rryshfetit lehtësoi akuzën për të dënuarin Gentian Doda, nga vrasje me dashje ne plagosje të rëndë, cka i mundësoi atij lirinë. Si dënim plotësues, prokurori Klodian Braho kërkoi që gjykatësit të Apelit ti hiqej e drejta për të ushtruar profesionin për periudhën prej tri vitesh. Gjithashtu u kërkua që të pandehurit t’i konfiskohet shuma prej 30 mijë eurosh, me argumentin se është provuar që këto para janë marrë rryshfet për vendimin favorizues për të dënuarin Doda.

Pjesa tjetër e shumës prej 30 milionë lekësh, që iu gjetën në shtëpi gjykatësit nëntorin e 2017, kur edhe u vu në pranga u kërkua nga prokuroria që ti kthehen të pandehurit, por për burimin e e parave, po zhvillohet një hetim pasuror sipas ligjit antimafia. Për të pandehurin Kujtim Miri, i dyshuar për korrupsion, u kërkua dënimi me 2 vite e gjashtë burg. Kushëriri i gjykatësit dyshohet se ka patur rolin e ndërmjetësit. Të dy të pandehurit përfitojnë ulje të një të tretës së dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Në ngjarje rezulton të jetë i përfshirë edhe Alban Buci, i shpallur në kërkim. Sipas prokurorisë, ai është personi që ka ndërmjetësuar dhe dorëzuar paratë e rryshfetit, duke mundësuar edhe lirimin e mikut të tij, Gentian Doda. I dënuar me 20 vite burgim, për vrasje të dyfishtë, Doda qëndroi pak vite i izoluar që pas ekstradimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi për shkak të lehtësimit të akuzës, ia doli të lërë qelitë. Por pas arrestimit të gjykatësit, emri i Gentian Dodës, është renditur sërish në listën e personave të kërkuar.

e.f/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb