VLORE – Prokuroria e Vlorës kërkon sekuestrimin e pallatit 11-katësh, për të cilin kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika është vendosur në pranga, nën akuzën e dhënies së lejes së paligjshme. Prokuroria e ka dërguar kërkesën në gjykatë, me pretendimin se pallati duhet të sekuestrohet pasi është ngritur në bazë të një lejeje të falsifikuar.
ARRESTIMI
Kryebashkiaku Shpëtim Gjika është arrestuar pasditen e djeshme në banesën e tij, pasi akuzohet se ka dhënë leje të jashtëligjshme për një pallat 11-katësh në qytetin bregdetar. Ndërkohë, ka përfunduar në pranga një zyrtare e Bashkisë së Vlorës si dhe një biznesmen. Bëhet fjalë për Doriana Sulajn, drejtore e Drejtorisë së Planifikimit të Territorit në këtë bashki dhe biznesmenin e ndërtimit, Artur Haxhi. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës, bënë me dije se kryebashkiaku Gjika dhe vartësja e tij Sulaj akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, dhe “Ndërtim i paligjshëm”, të kryera në bashkëpunim.
PROKURORIA: GJIKA PENGONTE HETIMET
A nuk mund të hetohej Shpëtim Gjika në gjendje të lirë, siç u veprua herën e parë? Prokuroria tha “JO”. Gjika po pengonte hetimin. Nuk po i dorëzonte dokumentet njerëzve të organit të akuzës, procesverbalet e mbledhjeve të KRT-së së Vlorës, etj. Ndalimin e tij e bënë prokurorët Albert Kuliçi dhe Ramadan Troci. Prokurori Kuliçi ishte në zyrën e Gjikës dhe kreu i bashkisë i premtoi se do ja jepte dokumentacionin një ditë më vonë. Të nesërmen, ai e ka gjetur bashkinë mbyllur. Duke qenë se rrezikohej manipulimi i provave, prokuroria vendosi t’i kërkojë gjykatës masën e arrestit me burg. Kreu i komanduar i prokurorisë së Vlorës, Ramadan Troci, emri i të cilit lidhet padiskutim me arrestimin e ish-guvernatorit, Ardian Fullani, trokiti në gjykatë dhe kërkoi leje për arrestimin e Gjikës. Brenda pak orësh, qytetari i parë i Vlorës, përfundoi në hekura. Por për çfarë e akuzon prokuroria kryebashkiakun e qytetit bregdetar?.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: