TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet ndaj deputetit të Partisë Demokratike Astrit Veliaj. Këtë e ka konfirmuar për “Panorama Online” zëdhënësi i organit të akuzes, Albi Serani, kur tha se do të dërgohet shumë shpejt në Gjykatën e Lartë dosja për deputetin.

Deputeti Veliaj u mor i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme në shtator të vitit të kaluar pas dy kallëzimeve penale të kryera për ndërtimin pa leje të universitetit nën pronësinë e kompanisë së tij UFO sh.p.k në qytetin e Fierit. Veliaj, i zgjedhur në qarkun e Beratit në listën e Partisë Demokratike, është përfaqësues ligjor i subjektit UFO Sh.P.K, i njohur për ndërtesat e stilit neoklasik të Albanian University në disa qytete të Shqipërisë. Sipas Prokurorisë, një qytetare nga Fieri denoncoi fillimisht këtë subjekt tregtar për ndërtim të paligjshme në pronën e saj të një ndërtese 4 dhe 6 kate me një sipërfaqe prej 11 mijë metrash katrore. Bashkia e Fierit, ka konfirmuar se nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtim në këtë zonë. Prokuroria zbuloi më vonë se ndërtesa pa leje ka zënë edhe një hapësirë, e cila gjendej në inventarin e pronave të paluajtëshme të Ministrisë së Brendshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: