TIRANE- Prej një viti, Luljeta Berisha, motra e ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, është duke u hetuar për akuzën e pastrimit të parave. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, Luljeta Berisha, dyshohet të ketë pastruar miliona dollarë.

Fakti më interesant që kanë zbuluar deri më tani prokurorët në kuadër të këtij hetimi, është fakti se Luljeta Berisha, rezulton të ketë marrë borxh një shumë të konsiderueshme parash, nga biznesmeni Ylvi Beqja. Ky i fundit, prej muajsh mban statusin e të penduarit të drejtësisë, pasi ka pranuar të dëshmojë kundër Emiljano Shullazit dhe miqve të tij, të cilët i akuzon se i zhvatën shuma të mëdha parash nën presion fizik e psikologjik.

Ylvi Beqja, është thirrur nga prokuroria e Durrësit, për t’u pyetur lidhur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por ende nuk janë marrë deklarimet e tij, për shkak të statusit që gëzon si i penduar i drejtësisë, në çështjen më të shumëpërfolur të kohëve të fundit, që po hetohet nga krimet e rënda.

Ndërkohë, për të vërtetuar dyshimet e ngritura se personi nën hetim Luljeta Berisha e ka kryer veprën penale të pastrimit të parave, prokuroria e Durrësit, ka nisur në drejtim të disa shteteve letër porosi duke kërkuar informacion lidhur me llogaritë apo pronat që ajo dhe të afërm të saj zotërojnë. Nga verifikimet e para rezulton se Luljeta Berisha, nuk e justifikon me burime të ligjshme pasurinë që zotëron, për shkak se për periudha të gjata ka qenë e papunë dhe pa asnjë të ardhur financiare. Ky hetim i ri i hapur ndaj motrës së Lulzim Berishës, duket se do të verë sërish në qendër të vëmendjes familjen e tyre.

Pak javë më parë, emri i ish-kreut të bandës së Durrësit u lakua mjaft pas lirimit me kusht nga gjykata e Apelit Durrës. Për lirimin e tij, është akuzuar dhe dërguar prapa hekurave, drejtori i burgut të Durrësit, Astrit Kotaj, ndërsa kërkohet juristi Teodor Labi. Çështja hetohet nga prokuroria e Tiranës, pasi nën hetim janë vënë dhe gjykatësit që dyshohen se favorizuan Lulzim Berishën për të përfituan lirinë me kusht./News24

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb