Prokuroria e Durrësit nis hetim për lirimin e të dënuarit Lulëzim Berisha.

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin kryesisht për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me praktikat gjyqësore, gjithashtu edhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar ndër të tjera se Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin e saj datë 05. 12. 2016, ka vendosur :

“…Pranimin e kërkesës së të dënuarit Luzim Berisha dhe lirimin me kusht nga vuajtja e mëtejshme e dënimit penal me burgim të dhënë me vendimin nr. 1, date 16. 01. 2012, te Gjykatës për Krime të Renda, i ndryshuar me vendimin nr. 175, datë 16. 07. 2014, të Gjykatës së Larte, për pjesën e mbetur të pavuajtur të dënimit, prej gjashte vjet e dy muaj e 22 ditë burgim…”.

Nga të dhënat paraprake, rezulton se Lulzim Berisha ka përfituar nga një seri e gjatë vendimesh gjykate për ulje dënimi, si edhe ka pqrfituar nga ligji i vitit 2012 “Për Amnistinë”.

Gjithashtu, nga informacioni i publikuar në media, rezulton që në vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, shkruhet se “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për tu punësuar në ndonjë subjekt privat”.

Në kuadër të këtij procedimi, Prokuroria Durrës po shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të dhëna në kohë të ndryshme për të dënuarin Lulzim Berisha nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, për përfitim të uljes së dënimit, përfitimit të amnistisë, si dhe ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga Burgu i sigurisë së lartë, në atë të zakonshëm.

Prokuroria e Durrësit ka dyshime të arsyeshme që zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb