Prokuroria për Krimet e Rënda nuk tërhiqet nga kërkesa për bllokimin e pasaportës të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri duke kërkuar recurs në gjykatën e lartë ndaj vendimit të apelit.

Qëndrimi i prokurorisë vjen pas dështimit në Apelin e krimeve të rënda i cili hoqi sekuestron për pasaportën e Tahirit.

Sipas të dhënave zyrtare publikuar në faqen e Gjykatës së Lartë mësohet se rekursi në fjalë është depozituar në 7 Shkurt 2018. Ai mban si objekt “Caktimin e masës së sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Ende nuk është përcaktuar ora dhe data e seancës së parë të shqyrtimit të cështjes.

Ish-ministri Tahiri hetohet nga Krimet e Rënda për akuzën e “trafikut të narkotikëve në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal” dhe për “korrupsion i zyrtarëve të lartë”, bazuar në aktet hetimore të referuara nga drejtësia italiane.

Në hetimin e saj prokuroria pretendon se Tahiri ka favorizuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal të Habilajve në kultivimin dhe trafikun e kanabisit. Në Janar, Prokuroria shtyu me tre muaj afatin e hetimit të kësaj çështjeje.

Ditët e fundit Prokuroria e Krimeve i është drejtuar me një letërporosi edhe autoriteteve greke, ku kërkon të dhëna që mund të kenë interes për hetimin.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: