Partia Demokratike reagoi pas njoftimit të Prokurorisë së Durrësit se kishte sekuestruar kontenierët me mbetje në Port, të kthyera nga Tajlanda në fund të tetorit. Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari shprehet në një reagim se hetimi nuk do të prodhojë gjë konkrete.
Ai shton se fakti që qeveria fsheh përgjegjësinë e trafikut të mbetjeve të rrezikshme dhe deklarata e kryeministrit Edi Rama mbrëmjen e kaluar kur tha se “kjo çështje është një proces”, rrisin dyshimet se përmbajtja e tyre është toksike.
Reagimi
“Eshtë një proces”/ Kulmi i transparencës erdhi mbrëmë..
Kryeministri, i bezdisur në maksimum nga pyetja, e shperdoroi edhe mbrëmë një mundësi për të bërë transparencë lidhur me mbetjet e rrezikshme, ato 2 mijë e 100 tonë lende që kanë mbetur në det të hapur, por vetem një milje larg Durrësit.
U pyet në Opinion për çeshtjen që është prej 3 muajsh tashmë shqetësim për qytetarët dhe tha se; kjo është njê proces.
Pra sipas Edi Ramës kaq meritojnë të dinë njerëzit për këtë histori.
As se ku burojnë, as ku mbahen, as ku ruhen, as si trajtohen, as ku shkojnë, as se ku janë, dhe as fare se çfarë masash po merren në vijim pasi Rrjeti i Bazelit zbuloi skandalin.
Qytetarët, familjarët, prindërit që janē në merak, që duan të dinë të verteten e lendeve të rrezikshme deri në toksike, që duan të dinë sa helmuese janë, e pse janë lënë si mall pa zot, pse vertiten nëpër botë e kthehen prapë, ku gjenerohen e në sa vende në Shqipëri, a ka të tjera që vijnë tek ne e trafikohen, të gjitha këto Kryeminisri i kalon me një tundje nervoze koke dhe thotë; është njê proces.
Pikerisht kjo arrogancë, kjo mosdhenie llogarie, kjo mungesë totale transparence, kjo mosperfillje e njerëzve që një ditë ka emrin Kumbaro, një ditë Vengu, e mbreme atë të Kryeministrit e ka bërë situaten edhe me të dëmshme, më acide, e më toksike se sa e kanë sjellë në vetvete ato 102 kontejnerë.
Kjo ikje nga përgjegjësia i shton edhe mē shumë dyshimet se kemi të bëjmë me lende të rrezikshme, dhe kemi të bëjmë me trafik ilegal ndërkombëtar të tyre.
Konventa e Bazelit ku ne aderojmë parashikon penalitete të forta për qeverinë e vendit ku kjo ndodh.
Dhe nuk ka dyshim. 2 prokurorë në Durrës nuk do ja dalin ta nxjerrin të verteten e anijes. Sepse nuk kanë mundësi të vënë para përgjegjësisë, Kumbaron, Vengun, apo Edi Ramën. Shaka e madhe do të jetë ky hetim. Një proces..
(BalkanWeb)