TIRANË

Prokuroria e Tiranës ka vendosur shoqërimin e detyrueshëm të kreut të PD-së Lulzim Basha pasi ai nuk ka shkruar në prokurori siç ishte thirrur pak ditë më parë për lobimin e ashtuquajtur rus. Basha nuk iu përgjigj ftesës me arsyetimin se nuk i ka vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi nga Prokuroria e Tiranës se prokurorët e çështjes kanë firmosur urdhrin i cili është dorëzuar në polici. Oficerët e Policisë Gjyqësore do e shoqërojnë në mënyrë të detyrueshëm kreun e PD-së më 20 qershor në orarin zyrtar.

Prokuroria ka marrë zyrtarisht të pandehur Kreun e PD-së për çështjen e lobimit në SHBA nga një kompani ruse. Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë një urdhër paraqitje kundrejt liderit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha dhe dy bashkëpunëtorëve të tij.

Prokuroria e Tiranës e dërgoi shkresën mesditën e datës 12 qershor, e cila mban firmën e prokurorëve të çështjes Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kole Hysenaj. Nën hetim janë marrë gjithashtu edhe ish-sekretari i përgjithshëm dhe ish-deputeti Arben Ristani si dhe Ilir Dervishi ekonomist në PD.

Në ftesën ‘për paraqitje’ thuhej se Basha do pyetej sot në cilesinë e të pandehurit ora 9:30 dhe në rast se nuk paraqitet do të shoqërohet me forcë.

Por sot, me argumentin se prokuroria nuk ka përmbushur detyrimet ligjore, për t’i bërë të njohura rezultatet e hetimit për cështjen e kontratave të lobimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lulzim Basha nuk iu përgjigj ftesës së saj, për t’u njohur zyrtarisht me akuzën.

Kryedemokrati Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, janë marrë zyrtarisht të pandehur për pastrim parash dhe falsifikimi formulari, përderisa nuk justifikojnë dot shumën prej 650 mijë dollarësh, paguar lobistit Nik Muzin.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë po kryen hetime në funksion të procedimit penal me Nr.645 të vitit 2018. Në lidhje me këtë procedim penal janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, nga të cilat kanë rezultuar elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 190/3 dhe 287/ç të Kodit Penal, të kryera nga shtetasit Lulëzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.
Nisur nga sa më sipër, në bazë të nenit 308 të Kodit Pr.Penale, lind e nevojshme të njoftohet për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë tek prokurorët e çështjes personi nën hetim Lulëzim Basha. Paraqitja kërkohet për të njoftuar akuzën dhe për t’u marrë në pyetje me cilësinë e të pandehurit.
Nisur nga sa më sipër, në bazë të nenit 304/1, 308 të Kodit të Procedurës Penale: Vendosëm të ftojmë për t’u paraqitur në prokurori më datë 17.06.2019 ora 09:30 min shtetasin Lulëzim Basha.
Në rast mosparaqitje ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesë të ligjshme, paralajmëroheni se në bazë të nenit 308 të K. Pr. Penale, urdhërohet shoqërimi i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore”, thuhet në shkresën e Prokurorisë.

Kompania Biniata Trade me lidhje ruse dyshohet se ka paguar 150 mijë dollarë lobistin që punonte për Partinë Demokratike, të cilin Basha ka deklaruar se nuk e njeh.
Urdhri i paraqitjes në Prokurori vjen në kohën kur vendi ndodhet në një krizë politike, opozita ka deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje, Presidenti ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit dhe maxhoranca kërkon të bëjë zgjedhje me çdo kusht, ndërsa ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb