Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokuroren e Prokurorisë së Korçës, Dhorina Theodhori. Treshja gjykuese e KPK-së përbëhej nga Pamela Qirko kryesuese, Genta Tafa Bungo relatore dhe Etleda Çiftja anëtare.

Prokurorja Theodhori u vlerësua për të tre kriteret e rivlerësimit. Por ndërsa nuk u konstuan probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës, debati në seancën dëgjimore u fokusua te aftësitë profesionale.

Relatorja Genta Tafa Bungo bëri me dije se Komisioni nuk ka gjetur probleme me deklarimin e pasurisë së trashëguar nga i ati, truall me sipërfaqe 56 m2 dhe ndërtesë 55 m2, me pjesë takuese 1/3. Edhe deklarimet e prokurores Theodhori për ndryshime në strukturë dhe rikonstruksion nga Bashkia e Korçës në kuadër të projektit të rikualifikimit të zonës së quajtur “Pazari i Vjetër” janë gjetur të sakta.

KPK nuk ka evidentuar probleme edhe në deklarimin e një apartamenti me sipërfaqe 67 m2, ku subjekti rezulton të ketë pjesë takuese 1/6-ën në bashkëpronësi me nënën dhe motrën, por Komisioni ka gjetur se prokurorja Theodhori nuk ka deklaruar në kohë një shtesë prej 12 m2, sërish me pjesë takuese 1/6.

Sipas Komisionit, subjekti ka bërë kërkesë legalizimi në vitin 2014, ku është deklaruar se ndërtimi është kryer në vitin 2009.
Komisioni i ka gjetur të drejta deklarimet për pasuritë 250 ha pyll dhe 150 ha kullotë të përfituar nga familja Theodhori nga kthimi dhe kompesimi i pronave dhe për blerjen e një makine në vitin 2011 për të cilën ka deklaruar si burim financiar krusimet nga paga.

Ndërsa lidhur me një kredi konsumatore në vlerën e 1 milionë lekëve të marrë nga prokurorja Dhorina Theodhori, komisioni ka konstatuar se pagesat në bankë në disa raste janë kryer nga persona të tjerë, familjarë apo punonjës të prokurorisë.

Gjithashtu edhe Prokuroria e Përgjithshme ka vlerësuar me nota pozitive aftësitë e saj në punë, por një nga gjashtë denoncimet nga publiku u bë pjesë e debatit në seancë.

Relatorja Bungo shpjegoi se denoncuesi pretendon se nuk është tërhequr një dosje nga gjykata civile, para vendosjes së mosfillimit të hetimit nga prokurorja Theodhori. Sipas relatores, duket sikur subjekti nuk ka kryer procedurat e duhura dhe pse ka interpretuar lidhur me këtë pretendim në vendimin e mosfillimit.

Drejtuesja e Prokurorisë së Korçës deklaroi në fjalën e saj se vendimi për mosfillimin e hetimeve për çështjen e denoncuar ishte konfirmuar nga eprori i saj dhe se denoncuesi nuk kishte ankimuar.

“Në materialin kallëzues nuk kishte asnjë indicie për të nisur hetimin,”,tha ajo, ndërsa shtoi se në atë kohë gjyqi civil ishte duke u zhvilluar. Më tej Theodhori sqaroi se lidhur me falsifikimin e dokumenteve për një pronë të pretenduar nga kallëzuesi, ishte gjykata ajo që duhej të vendoste nëse ishte e falsifikuar dhe nëse do të rezultonte e tillë duhej të njoftonte Prokurorinë.

Prokurorja Theodhori përmendi edhe një udhëzim të Prokurorit të Përgjithshëm që u hiqte vëmendjen vartësve për numrin e madh të kallëzimeve për falsifikime të dokumenteve të pronave, të cilat mund të përdoreshin për shtyrjen e gjyqeve civile. Ajo theksoi se nëse ekspertët do të kishin kryer ekspertim të rremë, ishte detyra e saj që të niste kryesisht hetimin. Por Theodhori shtoi se konstatimet e tyre ishin konfirmuar edhe nga ekspertë të tjerë. Më tej, prokurorja Theodhori sqaroi edhe situatën e derdhjes së pagesave të kredisë nga punonjës të prokurorisë, duke e cilësuar atë një veprim për shkak të marrëdhënieve shoqërore dhe se ata ishin ofruar vetë duke parë ngarkesën e saj.

“Asnjëherë ata nuk janë shkëputur nga detyrat e tyre funksionale dhe se gjithçka është kyer në bazë të rregullave përkatëse,” shtoi ajo, duke sqaruar se ajo nuk kishte qenë në atë kohë drejtuese prokurorie.

Lidhur me mosdeklarimin e shtesës 12 m2 nga viti 2009 deri në vitin 2014, prokurorja Theodhori sqaroi se nuk kishte pasur ndonjë qëllim fshehje, por se kishte menduar që momenti ligjor për deklarimin kishte qenë viti 2014. Në fund të fjalës së saj, prokurorja Theodhori kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 19 prill, ora 12:00.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb