Emisioni investigativ Vetting në News24
Të marrësh pronën tënde mund të rezultojë prova më e pamundur në jetë. Të paktën për Sefedin Shefën, banor i Lushnjës, marrja e pronës së trashëguar kështu ka rezultuar. Madje, në vend të marrjes së pronës, Shefa ka provuar edhe ndëshkimin, ndërkohë që ata që kanë falsifikuar kanë gëzuar pronën e tij. Dokumentet e falsifikuara rezultuan kontrata e shitjes së ish-kinemasë dimërore Lushnje, autorizimi i shitjes dhe gentplani i truallit.
Sefedini Shefa tregon zvarritjen nga ana e Selimit pas marrjes së vendimit: “Pas zvarritjeve ekstra procedurale u fut në procedurë ekzekutimi vendimin për fshirjen e dokumenteve të falsifikuara. Vendim i cili gjeti zbatim më datën 16.04.2021”.
Paralelisht për të përfituar në kohë, Ferit Tabaku, ngriti një akuzë ndaj Sefedin Shefës, për falsifikimin e dokumenteve të pronësisë.
Më tej Shefa tregon: “Në këtë moment, i dënuari Ferit Tabaku, bën kallëzim penal në adresën time me 20 janar 2020, me pretendimin se dokumenti im dhe noterimi është i falsifikuar. Dokument që është dhe ka dalë nga arkivat e shtetit, që është vendimi i Këshillit Popullor i 4 nëntorit 1958”.
Pra, paradoksi është se ai ka ngritur një akuzë për të njëjtën çështje për të cilën ai ishte deklaruar vetë fajtor. Me këtë lëvizje i dënuari Tabaku, arrin të pezullojë çështjen civile me datën 10.03.2021 për të cilin ishte në konflikt gjyqësor me shtetasin Sefedin Shefa.
Pezullimi u arrit me ndihmën e Prokurorisë, me një procedim të filluar ndaj Shefes në shkelje flagrante të ligjit për një çështje të gjykuar- bëjnë të ditur ekspertët ligjorë.
“Prokurorja Merita Selimi i dërgon shkresë gjykatës me datën 9 mars 2021, dërgoi kërkesës gjykatës sepse unë isha marrë i pandehur me kallëzimin që i kishte marrë kjo prokurore Ferit Tabakut, për dokumentet e mia. Në këto momente gjyqtarja e asaj kohe Arjeta Lika, merr vendimin e pezullimit të gjyqit civil që po zhvillohej në shkallën e parë, për dëmshpërblimin e truallit të marrë me letra false dhe që është ndërtuar mbi të, të ish-kinemasë”, tregon Shefa.
Kjo çështje u mbajt më shumë se dy vite nga prokurorja Merita Selimi, ku në gjykatë ajo përdorte ketë kallëzim për bllokimin e gjyqit.
Ndërkohë që kur Shefa kërkonte informacion ligjor për këtë çështje, prokuroja Selimi shprehej se: “Ju nuk jeni person nën hetim”.
Sipas avokatit Arben Llangozi, “institucionet ligjore duhet të jenë të kujdesshëm në kthimin e përgjigjeve të tyre”. “Pasi nga njëra anë prokurorja heton për falsifikim material dhe dy vërtetime që kundërshtojnë njëri-tjetrin, kemi të bëjmë me një falsifikim material të prokurores. Pra, kemi dy dokumente të lëshuar nga i njëjti institucion të lëshuar nga e njëjta prokurore. Pra kemi një falsifikim se të dy dokumentet nuk mundet të jenë të vërtetë. Njëri nga këta është i falsifikuar, i krijuar nga institucioni dhe prokurorja e çështjes. Kemi të bëjmë me një vërtetim të falsifikuar intelektualisht. Nëqoftëse ne i referohemi nenit 186 paragrafi 3 i Kodit Penal, ku në fakt, ku kemi dy dokumente të ndryshëm, që paraqet dy pretendime apo kthim përgjigje të ndryshme e ngarkon me përgjegjësi ligjore penale prokuroren sipas nenit dhe paragrafit që sipërcitova”.
Qëndrimi i prokurores, ndryshe ishte në gjykatë e ndryshe me Sefedin Shefën. Në momentin që Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin numër 57, datë 14 Prill 2022 vendosi ndryshimin e vendimit të datës 10.03.2021 të dhënë nga Gjykata e Lushnjës. Në vendim thuhet “rrëzimin e kërkesës për pezullimin e gjykimit dhe vijimin e gjykimit në fazën e mbetur.
Në momentin që Apeli zhbllokoi gjyqin, prokurorja Merita Selimi, bëri lëvizjen e radhës në shkelje të ligjit, ku në të njëjtat rrethana në ndihmë të falsifikatorit Ferit Tabaku, i njoftoi akuzën Sefedin Shefes për veprën penale të falsifikimit, neni 186/1 Kodit Penal, si shkelje flagrante shprehen ekspertët.
Sipas Sefedin Shefës: “Me t’u dhënë vendimi i formës sw prerë që gjyqi civil të fillojw atje ku është lwnw, që rrëzoi vendimin e Gjykatës Lushnje që kishte bërë pezullimin e gjyqit, prokurorja Merita Selimi menjëherë më mori të pandehur nën akuzën e falsifikimit dhe përdorimit të dokumentit të falsifikuar. Dokumentet të cilat nuk kanë asnjë pikë e asnjë presje të cenuar nga ana ime”.
“I kallëzuari Ferit Tabaku, nga i kallëzuar u bë kallëzues dhe më bën kallëzim sikur unë kam falsifikuar letrat e babait tim, të vitit 1958 kur unë kam lindur në 1961. Prokurorja Merita Selimi e merr të mirëqenë këtë kallëzim, që ajo vetë ta bërë akt ekspertize në ekspertizën shkencore të shtetit në kriminalistikë dhe ata kanë kthyer përgjigje në favorin tim. Më regjistroi dhe brenda 5-6 ditëve më mori person të pandehur. Është hetuar për 7 vjet nga kjo Prokurori dhe kanë dalë dokumentet e F.T të falsifikuara, jo dokumenti im. Me ka çuar 4 fletëthirrje për t’u paraqitur në Prokurori dhe nuk më lejonte të futesha në Prokurori” – tha Sefedin Shefa.
Sipas juristëve, bazuar në rrethanat objektive të çështjes, procedimi penal është haptazi i paligjshëm, pasi jemi para gjësë së gjykuar, skanuar në tërësinë e tyre nga vendim gjyqësor i formës së prerë, i cili rezulton aktualisht në fuqi.
“Kemi shkelje të drejtpërdrejtë të parimit nebi si iden. Ky parim është trajtuar gjerë e gjatë në konventat Europiane të të Drejtave të Njeriut, në Gjykatën e Lartë të të Drejtave të Njeriut, gjithashtu edhe në gjenë bazë ligjore edhe në legjislacionin shqiptar në bazë të nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale i cili ndalon gjykimin dy herë për të njëjtin fakt penal. Në rastin konkret kemi një kallëzues që është në rolin e viktimës dhe ka kallëzuar një tjetër, ku pretendon se me dokumente të falsifikuara i është marrë një pronë, pasurie trashëguar dhe në mbarim të këtij procesi personi i dënuar nga gjykata me vendim të formës prerë, merr rolin e viktimës për të njëjtin fakt penal. E pengon në mënyrë të drejtpërdrejtë rastin e dytë, apo të hetohet ashtu sikurse ka vepruar Prokuroria. Kemi një handikap jo ligjor të krijuar nga Prokuroria dhe më pas e miratuar edhe nga Gjykata. Nuk mundet që për të njëjtin fakt penal, që është e njëjta ngjarje, të hetohet dhe të gjykohet dhe të dënohen dy shtetas, ku njëri ka rolin e viktimës në proces dhe njëri në një tjetër. Unë e konsideroi shkelje dhe duhet të merren masa nga gjykata me të larta që të parandalojnë gjendjen e paligjshme. Pasi kemi një gjë të paligjshme, të cenimit të drejtpërdrejtë të një vendimi gjyqësor. Nuk mundet të gjykohet kush për të njëjtin fakt dy herë dhe aktualisht kemi gjykimin dy herë për të njëjtin fakt, por kemi edhe të njëjtat prova, kemi gjendje të paligjshme të krijuar nga sistemi i drejtësisë që duhet të parandalohet”, thekson avokati Arben Llangozi.
Së dyti, në mënyrë të pakuptimtë dhe pa u bazuar në ndonjë provë, falsifikatori Ferit Tabaku, për të njëjtën çështje kthehet nga një i kallëzuar, i dënuar, në kallëzues. Madje këtë akuzë e bën pa paraqitur ndonjë provë shkresore që implikon Sefedin Shefan. Pra, procesi për Shefën nis vetëm mbi bazën e deklarimeve të tij.
“Gjatë kësaj kohe prokurorja Merita Selimi mbante dokumentin tim sikurse ishte i falsifikuar”, kujton Shefa.
Së treti, bazuar në Kodin e Procedurës Penale, deklarimet në rastin konkret neni 156\ 1 Pika “b” të Kodit të Procedurës Penale, personi i cili në të njëjtën çështje është dënuar apo është pushuar çështja nuk mundet të pyetet dëshmitar. Kjo tregon besueshmërinë e vendimit gjyqësor, i cili bazohet vetëm në deklarimet e falsifikatorit Ferit Tabaku.
Sipas Shefës: “Më kalon çështjen në gjyq, duke më parë të pandehur për dokumentet e mia”.
Së katërti, sikurse rezulton nga dokumentet zyrtare vendimi gjyqësor i formës së prerë të datës 29 dhjetor 1993, njeh si pronar të ligjshëm të truallit ish-pronarin Sefedin Shefa.
Mënyra e procedimit penal për sa i përket gjësë së gjykuar dhe provave me shkelje nga prokuroria tregon se prej saj është filluar një procedim i paligjshëm sipas parashikimeve të nenit 313 të Kodit Penal, i cili shprehet. “Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale nga prokurori kundër një personi që dihet se është i pafajshëm dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet” .
Megjithatë prokurorja Merita Selimi e dërgoi për gjykim Sefedin Shefën për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, ku sipas saj vendimi i shpronësimit të vitit 1958 është falsifikuar prej tij. Në një kohë, që Shefa ka lindur në vitin 1961.
Por, sa e mundur është që ai të Sefedini të falsifikonte një dokument të tillë?
Sipas ish-Drejtores së Përgjithshme të Arkivës Qendrore Kombëtare: “Duhet t’i drejtoheshin përsëri inistucionit që ka nxjerrë këtë dokument, të konfrontohet me ekspertë nga palët e interesuara, në prani të arkivistëve dhe të shikohet. Përballja e një dokumenti të nxjerrë nga një arkiv, qoftë arkiv qendror, qoftë nga arkivi vendor shtetërore, e ke vënë përballë”.
Interesant është fakti që dokumentet të cilat ishin të asgjësuara si të falsifikuara nga Ferit Tabaku, rezultojnë të jenë marrë nga prokurorja Merita Selimi në dosjen hetimore të Sefedin Shefes. Akoma deri më sot nuk është bërë asnjë akt ekspertize për dokumentin që akuzohet se është falsifikuar nga ana e Shefes. Ndërkohë që dokumenti i paraqitur nga Shefa rezulton i prodhuar nga një vendim, i cili është marrë nga Këshilli Popullor i asaj kohe, që rezulton me vendimin edhe të shtatë qytetarëve të tjerë të Lushnjes, që kanë pasur probleme të ndryshme.
Sipas Shefes: “Në vendimin e shpronësimit ka qenë dokumenti individual i babait tim për shpronësimin e sipërfaqes së truallit dhe vendimi tjetër i datës 4 nëntor 1958 me shtatë emra. Vendim që ndodhet në arkivën Qendrore Kombëtare në Tiranë”.
Nevila Nika shprehet: “Dhënia e një dokumenti dhe pretendimi se ky është i falsifikuar gjykoj se është i padrejtë. Ose ju them verifikimi shumë i lehtë. Mundësia për të qenë i falsifikuar për mua është i përjashtuar nga arkivi”.
Sipas Shefes: “Vendimi i shpronësimit ka qenë dokumenti individual i babit tim për shpronësimin e truallit dhe vendimi tjetër i 4 nëntorit 1958 dhe vendimi tjetër me shtatë emra që ndodhet në arkivën shtetërore me shtatë emra”.
Por, prokurorja Merita Selimi kërkoi deklarimin fajtor për Sefedin Shefës për përdorim të dokumenteve të falsifikuara dhe gjykata e deklaroi atë fajtor. Po kështu, gjykata vendosi asgjësimin e dokumentit të falsifikuar.
Sipas avokatit Arben Llangozi: “Prokuroria duhej të krahasonte është fakti nëse shkrimi apo nënshkrimi është i të njëjtëve persona. Nëse kemi numër protokolli të njëjtë me regjistrat ku dokumentet ishin regjistruar. Nëse vula e institucionit është e njëjtë, atëherë nëse i kemi këto nuk kemi falsifikim. Gjykata e Lartë me një vendim unifikues prej 19 anëtarësh me një vendim unifikues detyron inistucionin e Prokurorisë të fillojë një hetim vetëm kur ka dokumente origjinale. Në të gjitha rastet e tjera është e ndaluar. Pra, kanë qenë 19 gjyqtarët të Gjykatës së Lartë dhe kjo është e tepërt ta diskutoj një gjyqtar apo prokuror, i kujdo gjykate që mundet të jetë”.
Siç rezulton nga materialet procedurale ky dokument është dorëzuar nga shtetasi Ferit Tabaku dhe nuk është marrë si provë nga organet kompetente dhe sikurse e parashikon Kodi i Procedurës Penale, që të ketë vlerën e provës. Organet që kanë arritur në konkluzion duket qartazi se kanë proceduar sipas vullnetit dhe dëshirës të shtetasit Ferit Tabaku. Ky është edhe dokumenti i cili është siguruar edhe nga Ferit Tabaku.
Sipas Shefes: “Në rast se unë Sefedin Shefa nga Lushnja kam vënë dorë në një dokument të vetëm, unë nuk kërkoj të dënohem 9 muaj burg, apo 18 muaj shërbim prove, po kërkoj të varem në mes të Lushnjes. Në të kundërt i kërkoj SPAK-ut ta hetojë çështjen”.
(BalkanWeb)