VLORE-Në mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria” në qytetin e Vlorës, u promovua libri i historianit Paskal Milo, “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”. Në këtë aktivitet, që u organizua nga dega e Shoqatës „Labëria“ për Vlorën, në kuadrin e 70 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, morën pjesë qytetarë, veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, nxënës të shkollave, të rinj e të reja.

Folësit, mes të cilëve drejtori i Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj”, Çlirim Hoxha, kryetari i degës së Shoqatës “Labëria”, Ahmet Dema, rektori i Universitetit jopublik “Pavarësia”, Siri Hoxha, studiuesi Sejmen Gjokoli, sollën për auditorin vlerat e këtij botimi në një përvjetor jubilar, siç është 70 vjetori i Çlirimit të Atdheut, por edhe në tërësi për vetë historinë e Shqipërisë, për një prej periudhave më të rëndësishme të saj, atë të Luftës Antifashiste, që e radhiti vendin në koalicionin e fituesve, në krah të SHBA, ish Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe.
Autori i librit, historiani Paskal Milo evidentoi mes të tjerash se, përse u desh të shkruhej një libër për Luftën e Dytë Botërore të shqiptarëve. Sipas tij, një libër shkruhet duke u nisur nga disa kritere dhe nga një element i rëndësishëm që lidhet me të rejat që ai sjell. “Po nuk pati të reja libri, nuk është i nevojshëm”, theksoi Milo. Sipas tij, në Librin “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, ka fakte të reja, ka dokumente të reja për Luftën e Dytë Botërore.
Në këtë libër, për herë të parë pasqyrohen një numër i madh kujtimesh nga protagonistë të luftës, të cilat kanë qenë të lëna mënjanë, nuk kanë qenë të klasifikuara dhe në një farë mënyre mund të jenë shrfytëzuar në një moment të caktuar, por pastaj ato kanë qenë të bllokuara dhe kanë qëndruar jashtë vëmendjes së studiuesve dhe njerëzve që i kanë administruar këto pasuri kombëtare. Në libër janë shfrytëzuar kujtimet e Koço Tashkos, që është një veprimtar i shquar gjatë kohës së Luftës, mes të cilave ditare e kujtime të tij që i administronte familja. Këto janë shkruar pas vitit 1945, 1946, 1948 e më vonë. Kanë vlerë veçanërisht të rëndësishme ato kujtime që janë shkruar prej tij në periudhën kur ai ishte i internuar në vitet 1960-të. Sipas Milos, ai ka lënë kujtime që ndriçojnë shumë ngjarje të Luftës, në një këndvështrim që nuk janë njohur më parë. Po ashtu, janë pasqyruar kujtimet e Ymer Dishnicës, 55 faqe, të shkruara dhe të dorëzuara në arkivin e Komitetit Qendror në janar të vitit 1966. Janë shfrytëzuar kujtime të Ramadan Çitakut, një nga themeluesit e Partisë Komuniste, të Kristo Themelkos, të Pandi Kristos, Naxhije Dumes, të Alqi Kondit, apo veprimtarëve të tjerë të Luftës Nacional Çlirimtare.

Këto shënime, këto ditare, këto kujtime, sipas autorit, nuk përmbysin zhvillimin e ngjarjeve. Por këto vetëm japin detaje dhe detjaet shpesh herë në historiografi flasin shumë më tepër se ç’mund të flasin vetë ngjarjet.

Milo përmendi elemente të reja që lidhen me njohjen në detaje të Konferencës së Pezës, të Marrëveshjes së Mukjes, apo marrëdhëniet mes Partisë Komuniste e Ballit Kombëtar, si edhe apo për veprimtarinë e Ahmet Zogut në emigracion. Po ashtu mjaft ngjarje të Luftës Dytë Botërore, sipas Milos trajtohen në një këndvështrm të ri, sepse, kjo, sipas tij është edhe merita e një historiani, kur ulet të shkruajë një libër për periudha të caktuara të historisë së një vendi. “Pra, mënyra se si ai i trajton, kërkon dhe analizon, duke nxjerrë përfundime, qoftë edhe duke u mbështetur në dokumentacionin e njohur”, u shpreh autori.

Milo theksoi se, themelimi i Parisë Komuniste mbetet një nga çështjet më të polemizuara në Shqipërinë politike, mes njerëzve. Kjo për shkak se, sipas tij, historia shpesh shfrytëzohet, keqinterpretohet për qëllime politike të ditës dhe qëllimisht goditet një fakt apo personalitet historic, për qëllime politike, për vota apo për efekte të tjera përfituese.

Në këtë kontekst, Milo theksoi se, në libër zë një vend të rëndësishëm themelimi i Partisë Komuniste që, sipas tij, është një vepër e komunistëve shqiptarë dhe jo e emisarëve jugosllavë siç ishin Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugoshës. “Kjo është një e vërtetë të cilën e sjell si historian dhe jo si politikan”, theksoi ai, duke shtuar se, “për këtë parashtroj një numër dokumentash të panjohura që çojnë në këtë konkluzion”. Ai përmendi me këtë rast se në libër sjell dokumenta që dalin në dritë për herë të parë. Janë dokumenta të rëndësishme ku pasqyrohet mbledhja e themelimit të PKSH-së. Këto dokumenta janë gjetur në kishën e Françeskanëve në Shkodër në vitin 1945 dhe që fillimisht u depozituan në Institutin e Shkencave dhe pas asaj në ish arkivin e Komitetit Qendror të PPSH-së. Por, qysh atëhere nuk dihej asgjë për fatin e tyre. Në këto dokumenta përfshihen procesverbali i plotë i mbledhjes së themelimit shkruar nga Qemal Stafa në tre blloqe shënimesh, si edhe dy fletore të shkruara në gjuhën serbe nga Miladin Popoviçi që mbante shënime, po ashtu edhe dokumenta të tjera të mbledhjes. Këto dokumente u zbuluan gjatë një bastisjeje në 4 maj të vitit 1942, të një prej bazave më të rëndësishme të Luftës, që ishte shtëpia e Zef Ndojës, një aktivist i Partisë Komuniste që punonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Baza ishte denoncuar nga baxhanaku i tij, Ludovik Nikaj. Po ashtu, u bastisën edhe baza të tjera të njohura siç ishte ajo e Shyqyri Këllezit, prej ku u gjetën dokumente të rëndësishme. Mbi këto dokumente u ndërtua edhe pretenca për 204 komunistët e parë që themeluan PKSH-në. Për 30 kryesorët prej tyre u dhanë edhe dënimet përkatëse, disa prej të cilëve me vdekje. Sipas Milos, në pretencën e prokurorit, ose të gjykatësit hetues, citohen pjesë të tëra nga procesverbali i krijimit të PKSH. Për këtë arsye, theksoi ai, ky është i vetmi burim autentik dokumentar që tregon se si është zhvilluar mbledhja themeluese e PKSH-së. Milo theksoi se, themelimi i PKSH-së, ishte rrjedhojë e një procesi historik gradual nga grupet komuniste shqiptare.

Në libër ka mjaft përfundime dhe analiza për ngjarje të ndryshme të periudhës së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe përgjithësisht të Rezistencës Shqiptare. Ky është vëllimi i parë, që do të pasohet nga një vëllim i dytë që do të pasqyrojë periudhën e pushtimit gjerman 1943-1944.

(a.n/ata/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb