NGA: ORNELA MANJANI*
Shoqata Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” akuzon Agjencinë e Trajtimit të Pronave se po abuzon me implementimin e Ligjit nr.133/15 “Për trajtimin e pronës dhe përmbylljen e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave”. Në një dalje për mediat, përfaqësues të kësaj shoqate i kërkojnë ATP- të bëjë transparente mënyrën se si merr vendime dhe u bën thirrje pronarëve të ruajnë qetësinë dhe të bëjnë kujdes, të ndjekin ecurinë e dosjes dhe të ankimojnë vendimet kur s’janë dakord me to pasi për 30 ditë vendimet e ATPsë kthen në tituj ekzekutivë.

“Njëri prej problemeve madhore ka të bëjë me njërën nga paqartësitë e pabesisë nr 133/15, si pasojë e së cilës sot rrezikohet statusi i të gjithë pronarëve që disponojnë vendime përfundimtare të pazbatuara për dekada. Jo më larg se para dy javësh ATP vlerësoi në mënyrë të njëanshme dhe deklarative pasuritë e pronarëve, të njohura në kuadër të vendimeve përfundimtare gjatë viteve 1993 dhe 1994. Këto vlerësime janë publikuar nga ky institucion në një regjistër elektronik ku pronarët jo domosdoshmërisht kanë akses. Sipas terminologjisë ngatërruese të përdorur nga hartuesit e këtij mashtrimi me vlerë ligjore, ky grup pronarësh, shumica e të cilëve janë skualifikuar nga e drejta e pronës, apo të cilëve u janë vlerësuar pronat në shuma tejet qesharake po rrezikojnë të humbasin edhe të drejtën e ankimit në gjykatë. Kjo për arsye se pabesia nr 133/15 flet në dy mënyra për vendimet që lëshon agjencia. Njëra mënyrë është ajo që u njeh vendimeve të agjencisë fuqi detyruese kur ato plotësojnë kriteret e aktit administrativ sipas nenit 28 prg 5 dhe mënyra tjetër ka të bëjë me nenin 19 që flet për efektet detyruese të vlerësimeve përfundimtare”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Shoqata fton së pari të gjithë pronarët që disponojnë prona mbi bazën e vendimeve përfundimtare të viteve 1993 dhe 1994 të tregohen vigjilentë me pronat e tyre, së pari duke verifikuar nëse ata vetë figurojnë në këtë regjistër dhe së dyti duke përdorur çdo mjet ligjor të nevojshëm për mbrojtjen e pronave të veta nga vlerësimet e njëanshme, deklarative të bëra nga agjencia. Ndërkohë, shoqata i bën thirrje agjencisë t’i sqarojë pronarët publikisht sa më parë, sipas mundësive më të mira dhe në mirëbesim për pasojat juridike të vlerësimeve të njëanshme dhe deklarative që ajo u ka bërë pronave të tyre në të ashtuquajturin regjistër vlerësimesh përkundrejt parashkrimit të afateve të ankimit që këta pronarë kanë në dispozicion për tu ankuar.

“Problemi tjetër madhor që vëren shoqata gjatë procesit të zbatimit të pabesisë nr 133/15 ka të bëjë me faktin se, bazuar në shkresat e shpërndara në adresë të tyre nga ATP pronarët u drejtuan me shpresë drejt këtij institucioni, i cili me shpjegimet e dhëna po i përcjell ata radhazi duarbosh. Të ndërgjegjësuar për përmbajtjen e mashtrimit të madh që mbart kjo pabesi, pronarët po i drejtohen në forma të ndryshme, masivisht hallkave të shoqatës si në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj për të denoncuar shqetësimet e tyre lidhur me shpronësimet ‘de facto’ që imponon ky ligj dhe shkeljet e të drejtave të tjera kushtetuese në adresën e tyre. Shoqata bashkohet me shqetësimet e shprehura nga pronarët dhe i këshillon ata të ruajnë qetësinë sepse ankesat tona po shqyrtohen në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë pikë shoqata i sqaron pronarët se Gjykata Kushtetuese është i vetmi mjet juridik i brendshëm kompetent për korrigjimin e shkeljeve të të drejtave të tyre themelore në nivel kombëtar. Shterimi i këtij mjeti është parakusht, që të njëjtat ankesa të shqyrtohen edhe nga Gjykata e Strasburgut”,-thuhet në njoftimin e gjykatës.

DENONCIMET
Denoncimet mund të bëhen publikisht në faqen tonë zyrtare në internet në adresën: “https://defending property.com”, ose në faqen tonë sociale në FB: “Defending Property Pursuing Justice”. Në dispozicion të pronarëve janë gjithashtu edhe adresat tona elektronike vijuese: pronesi_me_ [email protected] dhe pronesi.me.d rejtesi@ gmail.com. Mbi bazën e shqetësimeve që na kanë përcjellë gjatë këtyre ditëve dhe atyre që do grumbullohen gjatë javëve që do pasojnë, shoqata do përgatisë një informacion të detajuar rreth problemeve shtesë të vërejtura në implementimin e ligjit nr. 133/15 përtej problemeve të evidentuara dhe të denoncuara prej saj në Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet ndërkombëtare kompetente.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: