Ndërsa policia e Fierit arriti të vërë në pranga dy nga grabitësit e banesës në fshatin Greshicë të Mallakastrës, pronari i banesës, Përparim Merdani tregoi për “News 24” dhe “BalkanWeb”, momentet e tmerrit.

Ai thotë se grabitësit ishin tre, ndërsa mbanin në duar shkopinj gome e thika, ata e kanë goditur duke kërkuar me ngulm dhomën ku mbante paratë. ndërsa ai nuk ua ka dhënë çelësin, grabitësit e kanë shqyer derën.

“Dy çunat i kisha në sport, unë isha lart me nënën, mbesa shikonte telenovela. Në një moment na zë gjumi, ata atëherë erdhën. Dëgjova ulërimën e mbesës dhe u ngrita. Ata erdhën me thika tek koka na thanë mos lëvizni”,- shprehet pronari.

Ju kërcënuan?

Përparim Merdani: Mua më qëlluan, më goditi tek hunda, më iku gjak, më është ënjtur dhe syri. Pasi kontrolluan ishte një dhomë me çelës, e shqyen derën e hynë tek dhoma ku kishim lekët, 1 milion e 700 mijë lekë.

I njohët?
Përparim Merdani: Jo ishin me maska nga t’i njihja

Sa persona ishin?
Përparim Merdani: Tre veta, kishin shkop gome dhe thika në duar, m’i mbanin thikat në kokë

I kanë dhunuar nënën dhe mbesën?
Përparim Merdani: Jo ato jo

Jeni ndjerë të kërcënuar më parë?
Përparim Merdani: Jo, jo asnjëherë. I linim dyer e shtëpisë hapur. As kur flija nuk e mbyllja derën e shtëpisë.

E keni dëgjuar se janë arrestuar?
Përparim Merdani:
Nuk i njihja fare si persona

Ju punoni zotëri?
Përparim Merdani: Jo pa punë jam

Mund të kenë dëgjuar që keni para?
Përparim Merdani: Po para ca ditësh erdhi vëllai nga Anglia dhe më la disa para për kurimin e nënës. Mund ta kenë dëgjuar.

Ndjeheni të sigurt?
Përparim Merdani: Po këtu s’ka as mbrojtje asgjë, jemi të frikësuar tani

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb