Avokati Erald Aga ka qenë sot në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24 ku ka folur për problemet e pronave. Aga tha se nëse ka vullnet politik edhe për ligjin 7501 ka zgjidhje. Ai kërkoi kompensim të drejtë për pronarët.

“Zhbërja është ta shpronësosh pronarin me vlerën e tregut. Pronari të marrë një kompensim të drejtë, jo qesharak. Të jetë zgjidhje reale për të gjithë që të ngelen dhe ish-pronarët të kënaqur. Sa i përket 7501 janë ndarë shumë toka, ka pasur dhe mbivendosje dhe sot pas 30 vitesh ke qytetarë që përballen në gjykata”, tha avokati.

Qytetarja: Kam një kullotë e kam hipotekuar konform ligjit. Deri në 2012 nuk pata asnjë problem. Në 2013 doli një depo uji aty dhe unë prapë e fitova, tani bashkia Libohovë e ka marrë dhe unë nuk fitoj asgjë. Në tokën time nuk është ndërtuar asgjë. Prokurori nuk ka marrë asnjë masë, asnjë hetim.
Avokati: Bëni ankesë në KLP ndaj prokurorit. Mund ta çoni dhe me postë. Bëjini kallëzim penal prokurorit që nuk zbaton vendimin e gjykatës.

Qytetarja: Kam probleme me një pronë, e kam të mbjellë me ullinj. E kam me aktin e marrjes së tokës në pronësi. Njëherë më thanë që ka mbivendosje. Unë mora deklaratën e kufitarëve që nuk ka mbivendosje.
Avokati: Me deklaratën e kufitarëve dhe dokumentet do bësh deklarim sërish. Nëse i ke çuar dokumentet dhe nuk të japin certifikatën e pronësisë, do ta ndjekësh në rrugë gjyqësore. Duhet të hapni proces gjyqësor.

Qytetarja: Kam një problem me tokën. E kemi marrë sipas ligjit 4500, kemi marrë 4 dynym e 400 metër. Kur erdhi puna me marrë dokumentet, dolën mbi 5 dynym. Gjë që nuk është e vërtetë. E hodhëm në gjyq dhe fituam.
Avokati: Në Apel ka çështje që të 2016- 2017. Duhet të çoni dokumentacion që keni një moshë të caktuar që çështja të shqyrtohet me prioritet, por jo domosdoshmërisht ndodh. Nëse e ke vendim të formës së prerë, çoje te Përmbarimi.

Qytetari: Kam blerë një pronë te Kodra e Priftit në 1994-1995. Kjo tokë ka mbetur 800 metër siç është marrë e pandërtuar. Të gjithë ndërtuan dhe i legalizuan pronat. Si veprohet për këtë pronë, për ta zhvilluar sepse kjo pronë ekziston vetëm me një deklaratë noteriale.
Avokati: Nëse ka kontratë shitje, ka dy palë. Me deklaratë noteriale është e pavlefshme. Duhet akt shitje, me një shitës dhe blerës atëherë është një deklaratë kot, e pavlefshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb