VLORE-Sekuestrohet hoteli shumëkatësh i Isuf Brahimaj, të cilit iu bë atentat me lëndë plasëse në gusht të vitit të kaluar, teksa ai ndodhej në makinë në ecje bashkë me një vajzë.
Pas hetimeve të kryera në lidhje me ngjarjen ku Brahimaj mbeti viktimë, të shkuarën dhe veprimtarinë e tij, dyshohet se kompleksi është produkt i të ardhurave nga veprimtaria kriminale e tij. Pas vdekjes së 42¬vjeçarit, hoteli luksoz menaxhohej nga vëllai i tij, Ermal (Bashkim) Brahimaj, i cili, gjithashtu u ka shpëtuar deri më tani dy atentateve, si dhe një tjetër familjar i tij me inicialet Sh.B. Lajmi për sekuestrimin e godinës që ndodhet buzë detit është bërë i ditur dje nga Policia. “Nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë Vlorë, në kuadër të hetimeve disa mujore është bërë e mundur sekuestroja preventive e një godine shumëkatëshe, destinuar si hotel në zonën e Ujit të Ftohtë, në afërsi të vendit të quajtur ‘Kalaja’. Godina është në pronësi të shtetasve E.B., dhe Sh. B., të dy banues në Vlorë. Sekuestrimi i kësaj godine u krye pasi dyshohet se është produkt i të ardhurave nga veprimtari kriminale të ‘trafikimit të lëndëve narkotike’, në vendet e Bashkimit Europian”, thuhej në njoftimin e Policisë së Vlorës.

Mësohet se nga përllogaritja e kryer për këtë ndërtim, vlera sipas vlerësimit të normave zyrtare në fuqi arrin në 1.5 milionë euro. Kjo shumë parash nuk mund të justifikohej nga familjarët e të ndjerit Brahimaj, ndaj Prokuroria ka vendosur sekuestron preventive të saj. Hoteli është 5¬katësh dhe me dy kate të tjera që shërbenin si bar e restorant. Atentati ndaj Brahimajt që bërë vetëm pak kohë para se kompleksi në pronësi të tij të niste së funksionuari. Edhe në faqen e “Facebook”, 42¬vjeçari Brahimaj hidhte herë pas here fotot e hotelit shumëkatësh, ndërtuar buzë një shkëmbi në bregdet. “Pas atentatit, ku Brahimaj gjeti vdekjen, kanë filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes e zbulimin e autorëve të krimit, por edhe aktivitetin e viktimës. Gjatë hetimeve të kryera kanë rezultuar dyshime se familja Brahimaj ka ndërtuar hotelin me para të siguruara nga trafiqet e paligjshme të lëndës narkotike jashtë shtetit”, bënë të ditur burime nga Prokuroria. Isuf Brahimaj gjeti vdekjen më 28 gusht 2014, si pasojë e një atentati me lëndë shpërthyese në automjetin e tij. Ngjarja ndodhi në rrugën Transballkanike, teksa ai ishte në ecje bashkë me një mikeshën e tij, Kjo e fundit mbeti e plagosur rëndë, por fatmirësisht arriti t’i shpëtojë shpërthimit të telekomanduar.

(a.n/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: