Ekspertja e fushës së sigurisë dhe informacionit, njëherazi vëzhguese e gjendjes në Ballkanin Perëndimor, Ivana Stradner ka reaguar pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit.
Stradner në një postim në “X” i ka vënë fajin presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke thënë se shumë shpejt mund të priten përshkallëzime të reja në Kosovë.
“Ka pasur protesta pothuajse çdo ditë në Serbi që nga shembja e çatisë që shkaktoi vdekjen e disa personave. Vuçiç ka probleme serioze të brendshme dhe shumë shpejt mund të priten përshkallëzime të reja në Kosovë, gjë që është një taktikë tipike e Vuçiqit për të shpërqendruar Perëndimin dhe për të ushtruar më shumë presion brenda vendit”, ka deklaruar Stradner.
Analistja amerikane ka shtuar se Vuçiç do ta përdorë përsëri strategjinë e “eskalimit për të de-eskaluar” dhe do të pozicionohet si një shtyllë stabiliteti, duke shantazhuar Perëndimin duke u thënë se, nëse nuk duan që kriza të përshkallëzohet më tej, duhet ta mbështesin atë.
“Megjithatë, kjo është loja e tij e vjetër dhe Brukseli dhe Uashingtoni tashmë e njohin këtë skenar të mërzitshëm. Ka thashetheme se Vuçiç mund të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për të luftuar kaosin brenda vendit. Nuk dihet nëse kjo do të ndodhë, por ata tashmë po krijojnë panik duke përmendur “skenarin rumun” dhe një “revolucion të ri me ngjyra” – tipike për regjimin populist të Vuçiçit”, ka thënë Stradner.
Stradner ka theksuar se për të shkaktuar panik në publik, Vuçiç gjithashtu po gënjen njerëzit për një luftë bërthamore dhe strehimore.
“Ndërkohë, Rusia tashmë po bën propagandë në media se Kurti po përgatit një konflikt të ri në Kosovë para inaugurimit të Trump-it.
Ne tashmë e dimë se si funksionon regjimi i Vuçiçit, prandaj përgatituni për të njëjtën lojë të vjetër në Ballkan”, ka shkruar ajo.
Kujtojmë se të shtunën, autoritetet kosovare kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në këtë pjesë të Kosovës.
Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.
Serbia i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare. Sulmi është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Bashkimi Evropian e cilësoi si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotues” shpërthimin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.