Një zyrtar i lartë palestinez, i përfshirë në bisedimet për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, ka bërë të ditur për BBC-në se Egjipti dhe Katari kanë propozuar një plan të ri për të ndalur luftën në Gaza. Ky propozim përfshin një armëpushim afatgjatë që mund të zgjasë nga pesë deri në shtatë vjet, shkëmbimin e të gjithë pengjeve izraelitë me të burgosur palestinezë që mbahen në burgjet izraelite, përfundimin zyrtar të konfliktit dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Në këtë kuadër, një delegacion i lartë i Hamasit, i kryesuar nga drejtuesit politikë Mohammed Daruish dhe Khalil al-Hayya, pritet të udhëtojë në Kajro për të zhvilluar konsultime të mëtejshme lidhur me këtë iniciativë. Kjo nismë pason dështimin e marrëveshjes së mëparshme për armëpushim, që u ndërpre rreth një muaj më parë, pasi Izraeli rifilloi ofensivën në Gaza dhe të dyja palët u fajësuan ndërsjelltë për prishjen e marrëveshjes.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Një zyrtar i ministrisë së shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi konfirmoi për BBC-në se 22 palestinezë janë vrarë dhe 45 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore izraelite që nga mbrëmja e së hënës. Sulmet kanë ndodhur në zona të ndryshme si Khan Younis, Jabalia, Beit Lahia dhe qyteti i Gazës, dhe janë përshkruar nga banorët si jashtëzakonisht të dhunshme. Forcat izraelite janë parë duke lëvizur me tanke në jug, pranë qytetit Rafah.
Këto bisedime vijnë vetëm pak ditë pasi Hamasi refuzoi një propozim tjetër të Izraelit, i cili parashikonte çarmatimin e grupit në këmbim të një armëpushimi gjashtëjavor. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se nuk do të ndalojë ofensivën ushtarake derisa Hamasi të shkatërrohet dhe të gjithë pengjet izraelitë të kthehen në atdhe. Në anën tjetër, Hamasi e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë lirimin e pengjeve pa një angazhim të qartë nga Izraeli për përfundimin e luftës.