Mijëra qytetarë protestuan në Beograd, pas thirrjes së studentëve, të cilët, për më shumë se katër muaj, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad.
Pesëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë, studentët – të mbështetur edhe nga akademikë dhe qytetarë të tjerë – organizojnë protesta dhe bllokojnë fakultete.
Si kundërpërgjigje, një grup i quajtur “Studentët 2.0” u mblodh në Parkun e Pionierit në Beograd para dhjetë ditësh, duke kërkuar që t’iu jepet fund bllokadave në fakultete.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se ka bërë thirrje vazhdimisht për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha sulmeve dhe provokimeve ndaj punonjësve të policisë, në të kundërtën tha se policia do të ndërhyjë dhe do t’i mbrojë efektivët e saj konform ligjit.
Në deklaratë thuhet se disa incidente dhe përleshje kanë ndodhur në disa lokacione në qendër të Beogradit “midis disa pjesëmarrësve në protestë, të cilët sulmuan vazhdimisht policët, duke u përpjekur t’i pengojnë ata në kryerjen e detyrës”.
Qytetarët e tubuar në Sheshin Sllavija të Beogradit mbajtën në orët e mbrëmjes 15 minuta heshtje për 15 viktimat e tragjedisë në Novi Sad.
Në këtë qytet të Serbisë, 15 njerëz humbjen jetën nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Protestuesit, të udhëhequr nga studentët, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për incidentin.
(BalkanWeb)