Lamin Jamal është per sonazhi i ditës në Spanjë, te Barcelona dhe në kombëtaren që pak muaj më parë fitoi titullin kampion Europe me 17 vjeçarin në formacion. Ishte pikërisht shpërthimi i tij në “Euro 2024” që ka bërë që sytë e të gjithë botës të drejtohen nga ai.

Paparacët dhe të gjitha mediat ishin pas tij gjatë pushimeve verore pas përfundimit të kampionatit europian në Gjermani. Vera përfundoi dhe futbolli u rikthye. Bashkë me të dhe Jamal dhe sytë e publikut. Në Beograd dhe në Gjenevë në dy ndeshjet e Spanjës në kuadër të Ligës së Kombeve, si tifozë serbë dhe ata zviceranë duartrokitën sapo folësi i stadiumit përmendi emrin e Lamine Jamal. Duartrokitjet për të janë bërë të zakonshme thuajse në çdo ndeshje të Barcelonës në La Liga. E po flasim vetëm për një 17-vjeçar që ka bërë që të gjithë të marrosen prej tij.

Dhe është pikërisht kjo një nga pikat të cilave u druhet shumë Barcelona. Pavarësisht, se lojtari ka treguar karakter dhe asnjë shenjë euforie, në klub nuk dëshirojnë që një lojtar si ai të dalë shpejt nga shinat. Sipas “Marca”, te Barcelona janë seriozisht të shqetësuar për protagonizmin e tij të tepruar dhe se djali nuk mund të kontrollojë atë që po i ndodh. Po flasim për një djalë të cilit i kanë ndodhur gjëra që nuk i kanë ndodhur askujt në dhjetë muajt e fundit.

Ka njerëz brenda dhe jashtë klubit që janë në dijeni të kësaj çështjeje. Ata e kanë të qartë se nëse vazhdohet me këto ritme, protagonizmi i tepruar mund ta vendosë në një situatë delikate djaloshin. Ndaj te Barcelona po mendojnë të gjejnë një zgjidhje për ta mbajtur sa më larg ndikimeve nga jashtë. Sipas gazetës “Marca”, te Barcelona kanë kërkuar ndihmën e familjes së Jamal, për ta mbajtur me këmbë në tokë sulmuesin e krahut.

Ndërkohë, që vendimtar mund të jetë dhe roli i agjentit të tij të ri, që nuk është as më shumë e as më pak, por Zhorzh Mendesh. Sepse, nëse Jamal do të vazhdonte me agjentin e tij të hershëm, te Barcelona do të ishin jashtëzakonisht të qetë, sepse Ivan de la Penja do ta kishte nën kontroll lojtarin. Por situata ka evoluar ndryshe dhe te Barça ka nisur të shtohet shqetësimi për të ardhmen e xhevahirit të saj, Lamin Jamal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb